E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Studentja e Mjekësisë, korriere e drogës drejt Greqisë

Krimet e Rënda mbajtën nën vëzhgim Aurora Liçon. Arrestohet edhe pronari i 615 gramëve kokainë TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda mbante prej një muaji nën vëzhgim studenten e Mjekësisë, Aurora Liço, e cila u kap dy netë më parë me 615 gram kokainë. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, mësohet se prej gati një muaji shtetasit Ilia Naslazi i thirrur me pseudonimin Arben dhe Pandush Naslazi, i thirrur si Fredi, me banim në Korçë po hetoheshin për “trafik të lëndëve narkotike” drejt Greqisë. “Gjatë fazës hetimore të vëzhgimit dhe përgjimit të telefonatave hyrëse dhe dalëse të shtetasve tashmë të arrestuar me mbiemër Naslazi është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e shtetases Aurora Liço e cila kishte marrë përsipër kundrejt pagesës të kryente transportimin nga Korça për në Greqi të sasisë prej 615 gram lëndë narkotike, e dyshuar për kokainë”,-thuhet nga prokuroria. Pas evidentimit të këtij momenti është organizuar në bashkëpunim me policinë, kontrolli i çantës që mbante studentja Liço në të dalë të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, ku nga kontrolli i imtësishëm është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i sasisë prej 615 gram kokainë. Sipas prokurorisë, rezulton se pronari i drogës është 46- vjeçari Ilia Naslazi, ndërsa 36- vjeçari Pandush Naslazi ka bërë të mundur gjetjen e transportueses për në Greqi. Dyshohet nga prokuroria se droga ka ardhur vetëm pak ditë më parë nga Maqedonia, duke kaluar nga pika e kontrollit të Tushemishtit për t’ia dorëzuar shtetasit 46- vjeçar. Sipas prokurorisë, po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij rrjeti dhe arrestimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›