Kosova, masa kundër kontrabandës
Dy dogana u dogjën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës kanë shtuar aktivitetet e tyre, në luftën kundër kontrabandës me derivatet e naftës.
Zyrtarët thonë se, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe djegies së dy pikave doganore në kufi me Serbinë, ka pasur një shtim të kontrabandës së mallrave.
Humbjet që i janë shkaktuar buxhetit, për shkak të mosfunksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës, konsiderohen të jenë 8 deri në 10 milionë euro.
Udhëheqësi i ekipit antikontrabandë në Shërbimin Doganor, Bashkim Arifi, ka bërë të ditur se, rreth 300 mijë litra derivate të naftës kontrabandë, janë konfiksuar nga policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës në rajonin e Mitrovicës, që nga fillimi i këtij viti.
"Derivatet e kontrabanduara hyjnë nga Serbia. Faktikisht, është një invazion, jo vetëm me derivate, por edhe me mallra të tjerë që kanë vlerë. Mendoj se kemi arritur që t'i parandalojmë dhe t'i zëmë një numër rastesh të tentativave për kontrabandë. Kjo është bërë duke iu falënderuar edhe bashkëpunimit shumë të mirë me policinë, sidomos në rajonin e Mitrovicës. Edhe me doganat e Serbisë kemi një bashkëpunim sa i përket shkëmbimit të informatave", - ka thënë zoti Arifi.
Zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se policia ka arritur që t'ua vështirësojë në masë të madhe veprimtarinë kontrabandistëve përmes shtimit të masave të kontrollit në rrugët që lidhin pjesën veriore të Mitrovicës me atë jugore.
"Ne jemi orientuar fuqimisht në luftimin e këtij fenomeni dhe, për këtë arsye, kemi shtuar masat e kontrollit të vendosura në disa pika, qofshin në rrugë magjistrale apo rurale, por që janë shfrytëzuar mjaft lirshëm nga kontrabandistët", - deklaroi zoti Hoti.
Këtë muaj policia ka identifikuar edhe disa pika të karburanteve, të cilat janë furnizuar me mall kontrabanë. Javën e kaluar u mbyllën tri pika karburanti, ndërsa këtë fundjavë, grupi punues për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në rajonin e Mitrovices, ka ndërmarrë një operacion të jashtëzakonshëm në shtatë pika karburanti, ku ka konfiskuar dokumente për hetime të mëtejme.
"Ajo çfarë kemi bërë, kryesisht në muajin tetor, kur në këtë plan është përfshirë edhe njësiti për hetime kundër krimeve ekonomike, kemi arritur rezultate edhe më të mira, kemi arritur në një pikë kur kemi mbyllur edhe pompat e derivateve, të cilat janë marrë me furnizim të mallit kontrabandë. Thjesht, kemi arritur që, përmes vëzhgimeve që kemi bërë, të identifikojmë veturat, të cilat janë përdorur për transport të derivateve", - tha zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se qeveria nuk do të lejojë që pjesa veriore e vendit të bëhet oazë e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thotë se qeveria po bën ç'është e mundur për ta penguar kontrabandën në Kosovën Veriore.
"Kontrabanda ka ndodhur edhe në të kaluarën mirëpo, realisht, pas shpalljes së pavarësisë ato pika nuk janë më funksionale, ka shumë rrugë anësore periferike nga mund të zhvillohet kontrabanda. Por nuk mund të konstatojmë se ka rritje. Kontrabanda ekziston, por kontrabanda edhe luftohet. Nëse i referohemi edhe raporteve të doganës edhe të institucioneve tjera, ne e shohim se çdo ditë e më tepër po ngushtohet rrethi për kontrabandistët", - është shprehur zëvendësministri Hamza.
Raportet ndëretnike, të cilat në qytetin e ndarë të Mitrovicës, janë më të tensionuara se kudo tjetër në Kosovë, nuk paraqesin pengesë për një bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në zhvillimin e kontrabandës. Këtë e pohon edhe zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
"Kur flasim për përkatësi, kjo është një multietnicitet, janë vepra penale që kryhen në bashkëveprim. Atë çfarë ne kemi arritur të identifikojmë gjatë këtyre rasteve, kemi hasur më së tepërmi në grupe të vogla, kryesisht të pastrukturuara, që nuk kanë ndonjë pozitë brenda kësaj shoqërie", - theksoi ai.
Përveç humbjeve që i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës, kontrabanda e derivateve të naftës ka çrregulluar gjithashtu edhe tregun. Derivatetet e kontrabanduara shiten me çmime rreth 30 përqind më të lira. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, thotë se, edhe cilësia e këtyre karburanteve, është e dyshimtë.
"Në radhë të parë, hyn mall i pakontrolluar, d.m.th., cilësia e këtyre derivateve është e pakontrolluar fare; së dyti e prish tregun me çmime të larmishme. Kjo domosdo ndikon edhe tek biznesi, sepse kanë filluar të furnizohen në Mitrovicë, në Vushtri, ku hyn naftë e kontrabanduar. Kjo është në dëm të biznesit dhe në dëm të Kosovës", - shprehet zoti Bytyçi.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka kërkuar qeverisë që të rifunksionalizojë dy pikat doganore në kufi me Serbinë, ose të gjejë ndonjë alternativë tjetër për të penguar hyrjen e derivateve me cilësi të dyshimtë.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, beson se, rihapja e dy pikave doganore në Zubin Potok dhe në Leposaviç, nuk do të vonojë.
"Ka bisedime, vazhdimisht punohet në atë drejtim dhe ne shpresojmë që në ditët e ardhshme do të funksionalizohen prapë pikat doganore në veri të Kosovës", - tha zoti Hamza.
Pak ditë më parë, UNMIK-u ka caktuar një zyrtar të tij, diplomatin nga Zelanda e Re, Andreë Ladley, për të zhvilluar bisedime me qeverinë në Beograd, për rihapjen e dy pikave doganore në kufirin Kosovë-Serbi.
Autoritetet ndërkombëtare thonë se vendosja e doganierëve kosovarë në kufi me Serbinë, është në interesin e të dyja palëve, me qëllim të parandalimit të kontrabandës së mallrave dhe formave të tjera të krimit të organizuar.