E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç, 1.7 milionë eurot u tërhoqën nga ortakja e Argitës

Prokuroria zbulon destinacionin e parave të përfituara nga shitja e kompanisë. Flutura Kola pritet të merret në pyetje

TIRANË- Prokuroria e Tiranës zbulon destinacionin e 1 milion e 700 mijë eurove të Damir Fazlliç, të përfituara nga shitja “de jure’ e kompanisë “Croën Acquisitions”. Gjatë hetimeve për dyshimin e veprës penale të pastrimit të parave, zyra e Task Forcës ka pasur vështirësi në marrjen e përgjigjeve të transaksioneve në emër të boshnjakut Damir Fazlliç nga bankat e nivelit të dytë, por megjithatë ka mundur të zbulojë se paratë janë tërhequr “kesh” nga përfaqësuesja ligjore e kompanisë qipriote “Altaria Research Limited”, Flutura Kola. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se deri tani, vetëm 5 nga 19 filialet e bankave në vend nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me kërkesën e prokurorisë, për evidentimin e veprimeve bankare në emër të kompanive të shtetasit serbo-boshnjak, Damir Fazliç.

“Nga përgjigjet e ardhura deri më tani, ka rezultuar se nga 19 kërkesat e drejtuara në të gjitha filialet e bankave në vend dhe agjencive të shpejta të transferimit të parave ka rezultuar se vetëm pesë prej bankave më të rëndësishme nuk kanë kthyer përgjigje. Nga përgjigjet e marra dhe nga kryerja e disa hetimeve procedurale ligjore, prokurorët e çështjes kanë konstatuar se transferimi bankar i shumës 1 milion e 700 mijë euro është kryer nga një bankë e huaj Këto para janë tërhequr nga përfaqësuesja ligjore e firmës qipriote, avokatja Flutura Kola”,-thuhet nga burimet e mësipërme. Mësohet se pas kryerjes së kësaj transferte nga llogaria e kompanisë qipriote, paratë janë tërhequr “kesh” nga ortakja në studio ligjore me vajzën e kryeministrit, avokatja Kola brenda një afati një mujor me këste të lejueshme nga banka. Sipas prokurorisë, ende nuk dihet se ku kanë përfunduar këto para, pasi nga deklarimet e serbo-boshnjakut nën hetim, Damir Fazliç, është konfirmuar se kompania qipriote “Altaria Research Limited” që bleu shoqërinë e ngritur në Shqipëri “Croën Acquisitions” sh.a. ishte e veta, duke lënë të kuptohet se Fazliç ia shiti firmën e tij vetes së tij.

Kjo shitje, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, deri më tani vërteton faktin se është një shitje fiktive dhe në shumë raste të ngjashme ndërkombëtare kjo shit-blerje mund të përdoret për efekt të “pastrimit të parave”, akuzë për të cilën po hetohet edhe nga prokuroria shqiptare. Gjithashtu dyshohet se veprimet e kryera nga avokatja Kola, e cila brenda një muaji ka tërhequr të gjithë këtë shumë nga banka, mund të jetë përdorur për blerje “kesh”, duke shmangur detyrimet shtetërore në rast shit-blerje, detyrime këto të përcaktuar me ligj nga qeveria e kryeministrit Berisha. Ndërkaq, konfirmohet se disa nga bankat që nuk kanë kthyer ende përgjigjet zyrtare, kanë njoftuar se evidentimi analitik i kërkuar nga akuza vonohet për pak ditë, pasi brenda kësaj përgjigjeje duhet të pasqyrohen me detaje të gjitha veprimet bankare të kryera në emër të shtetasit Damir Fazliç dhe përfaqësuesve të tij e kompanive që ai drejton në Shqipëri. Sipas prokurorisë, pritet që në ditët në vazhdim, me ardhjen e të gjitha përgjigjeve zyrtare të bankave, Hipotekave, Doganave dhe Tatim Taksave të thirret dhe të merret në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen, avokatja Flutura Kola, për të dhënë shpjegime në lidhje me përfundimin e kësaj shume të madhe parash, që ka tërhequr në emër të kompanisë së mikut të kryeministrit Sali Berisha.

TRANSAKSIONI

Si u shit kompania e Fazlliç për 1 milion e 700 mijë euro

TIRANË- Më 19 nëntor të vitit 2005, Damir Fazliç dhe administratori i tij, Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “Srf Development” dhe “Virtua Acquisitions”. Një ditë më vonë, serbo-boshnjaku Fazliç dhe Isufi hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “Croën Acquisitions”. Nga shqyrtimi i dokumenteve kuptohet qartë që firmat vetëm nga emërtimet ndryshojnë. Statutet dhe qëllimet e këtyre firmave janë të njëjta. Aktiviteti i firmave është operimi në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin , import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Po kështu, të tre firmat kanë mbajtur të njëjtën adresë si selinë e tyre qendrore, adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4).

Më datën 9 korrik 2007, Fazliç realizon zyrtarisht shitjen e firmës “Croën Acquisitions” (me vendim gjykate, nr. 34011/2) për llogari të një firme qipriote, të quajtur “Altaria Research Limited”. Firma qipriote nuk solli asnjë përfaqësues në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, ortaken e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, Argitës të studios ligjore “Malltezi & Kola”. Avokatja Kola, më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes, ku kompania “Croën Acquisitions” shitet me një vlerë prej 1 milion e 700 mijë euro, ku në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës shqiptare. Nga vendimet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve rezulton se shtetasi Damir Fazliç është pronari i kompanisë që iu shit kompanisë qipriote, që vetë serbo-boshnjaku ka pranuar se është pronar i saj.F.Vezaj

Ortakëria ligjore “Malltezi & Kola”

TIRANË- Më 8 tetor të vitit 2005, Flutura Kola së bashku me juristen tjetër, Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi & Kola”. Megjithatë praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën date (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere, Laura Pustina, për të regjistruar dy firma konsulence të mëvetshme. Për pasojë u formuan dy firmat “Malltezi & Associates” si dhe “Kola & Associates”, por adresa e tyre mbeti e njëjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›