Akuzat e Napolitanos ndaj Berlusconit
Presidenti italian, Giorgio Napolitano, pranoi se vendi i tij është zhytur në krizë, pas akuzave të shfrytëzimit të prostitucionit me minorenë nga ana e Kryeministrit Silvio Berlusconi. Kreu i Këshillit të Ministrave në Romë, ka hedhur poshtë akuzat, por prokurorët besojnë se kanë prova të forta kundër tij dhe Berlusconi mund të proçedohet edhe për një akuzë shumë më të rëndë, atë të përdorimit të influencës politike për të liruar një vajzë të re nga burgu.
Në një deklaratë publike, Napolitano tha se shpreson vetëm që përfundimet e hetimeve të shpallen në një afat sa më të arsyeshëm, sepse një krizë e tillë si kjo e tanishmja, do të ishte shumë e dëmshme për vendin nëse do të vazhdonte gjatë”.
Më 14 janar Prokuroria e Milanos nisi zyrtarisht hetimet ndaj Kryeministrit Silvio Berlusconi, për akuzat e favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit minoren. Një ditë më parë, Gjykata e Lartë ndryshoi një ligj, që pengonte hetimin e tij, mbi bazën e imunitetit. Akuza e favorizimit nëpërmjet autoritetit shtetëror dënohet 4-12 vjet sipas kodit penal italian, ndërsa ajo e shfrytëzimit të prostitucionit minoren dënon 6 muaj- 3 vjet kush kryen aktin dhe 14-18 vjet kush shfrytëzon viktimën. Ndërkaq vetë Berluskoni ka deklaruar së fundmi se "Nuk ka shanse të japë dorëheqjen`` , kur gazetarët e kanë pyetur se a do të largohet nga qeveria pas këtij skandali të radhës. Berluskoni, duke mos harruar të sulmojë sistemin e drejtësisë në vend, sipas tij të politizuar tha se, akuzat e ngritura ndaj tij janë tepër të renda dhe krijojnë një situatë turbullire në vend.