E Diel, 1 Nëntor 2026

PE ratifikon Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Serbisë me BE-në

Parlamenti Evropian (PE) ratifikoi sot Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Serbisë me BE-në dhe ka miratuar rezolutën në të cilën konfirmohet se e ardhmja e Serbisë është në BE.
 

Me rezolutë, PE-ja ka bërë thirrje për fillim të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, ndërsa deputetët miratuan amendamentin e raportueses për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, me të cilin i bëhet thirrje Serbisë që të fillojë dialogun me Kosovën dhe të mos përmenden negociatat e reja për statusin. Ndërkaq, për amendamentin që ka paraqitur Lunacek votuan 335 deputetë, ndërsa 312 kanë qënë kundër.
 

Parlamentarët evropianë u kanë bërë thirrje Beogradit e Prishtinës që dialogun ta nisin pa shtyrje, ndërkaq që ai të jetë i suksesshëm, siç theksohet në rezolutë, është i nevojshëm përkushtimi dhe gadishmëria për kompromisin e të dy palëve në favor të të ardhmes së tyre të përbashkët evropiane.
 

PE-ja mbështeti vendimin e Këshillit të Ministrave rreth fillimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Për ratifikim votuan 612 deputetë, ndërsa kundër ishin vetëm 38 deputete.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›