Investimet po e çlirojnë bregdetin nga izolimi ku e la komunizmi
Kryeministri Berisha inauguron rrugën e plazhit të Jalit dhe Livadhës, në bregun e Jonit. Në këto 5 vite, në bregdet është investuar më shumë se 70 vitet e mëparshme të marra së bashku. Investimet në fushën e turizmit gjatë këtyre 5 viteve, janë mbi 30 herë më të mëdha, sesa 8 vitet e tjera të marra së bashku
Gjatë vizitës në fshatrat e bregut të Jonit, Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e dy rrugëve që zbresin në bregdet, rrugën e plazhit të Jalit dhe atë të Livadhës, në Himarë. Ndërtimi i këtyre rrugëve të parametrave bashkëkohorë, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 300 milion lekë, e ka bërë tepër të lehtë arritjen e këtyre plazheve, si dhe i ka dhënë një pamje moderne infrastrukturës së kësaj zone turistike, duke nxjerrë edhe më në pah bukurinë natyrore të saj.
Fillimisht, Kryeministri u ndal në fshatin Vuno, ku inauguroi rrugën në Jal. Duke e konsideruar një nga rrugët më të bukura që lidh fshatin Vuno me rrugën kombëtare, investim prej 210 milion lekë, Kryeministri tha se Vunoi është një fshat me potencial të madh turistik, në të cilin qeveria ka investuar për përmirësimin e infrastrukturës në shumë drejtime.
“Investimet në këtë fshat nuk kufizohen vetëm në rrugën, por është investuar edhe në ujësjellës dhe me një modifikim të ri të projektit, të tre lagjet e tij do të marrin ujë 24 orë, investohet në sheshin dhe në të gjithë infrastrukturën e këtij fshati. Vjet, ne inauguruam fillimin e rrugës, sivjet inaugurojmë përfundimin e saj, pra, inaugurojmë ndryshimin. Dua të theksoj një moment. Ky fshat ka pasur në të shkuarën tre anëtarë të Byrosë Politike, nipërit e tyre sot qeverisin Partinë Socialiste. Absolutisht, nuk i asfaltuan atij një kilometër rrugë dhe e lanë pa ujë 50 vjet. Për pushime vinin, por vinin në luksin e tyre dhe nuk mendonin aspak për bashkëfshatarët e tyre të mrekullueshëm, të cilët meritonin të gjithë infrastrukturën. Kjo është e vërteta. Këtu u ndërtua dhe ky është ndryshimi. Ne po investojmë në këtë bashki gjerësisht, në mënyrë që të harmonizohet bukuria natyrore përrallore, shpirti fisnik dhe punëtor i këtyre njerëzve, me infrastrukturën europiane që këta meritojnë”, u shpreh Kryeministri.
Më pas, Kryeministri u ndal në Livadhë, ku inauguroi rrugën që të çon në këtë plazh. Në përshëndetjen drejtuat banorëve, por edhe vizitorëve që kishin zgjedhur këtë plazh për të pushuar, Kryeministri Berisha u shpreh se, “sot, ne, së bashku, inauguruan dy rrugë, të cilat ndryshojnë në mënyrë rrënjësore infrastrukturën e dy zonave, ndër më të bukurat e bregdetit shqiptar, Vunoit dhe plazhit të Livadhës, një nga plazhet më mahnitëse të vendit. Në këto dy rrugë janë investuar gjithsej rreth 300 milion lekë dhe janë të parametrave më të mira, të parametrave më dinjitozë. Kënaqësia ime madhe është se së bashku, gjatë 5 viteve të fundit, ne ia dolëm të ndryshojmë bregun në mënyrë përfundimtare. Këto 5 vite, në bregdet është investuar më shumë se 70 vitet e mëparshme të marra së bashku. Vetëm 4 vite më parë, udhëtimi Vlorë-Sarandë, për shkak të rrugës, ishte një ndër udhëtimet më të mundimshme. Por vetëm dy vite më parë, për banorët e këtyre zonave zbritja në det ishte sërish një udhëtim i mundimshëm. Sot, situata është krejtësisht tjetër. Në këto 4-5 vite, në Himarë është investuar dhjetëra herë më shumë, sesa të gjitha vitet e tjera të marra së bashku. Në Himarë, janë rindërtuar, asfaltuar apo hapur rreth 62 kilometra rrugë, nga të cilat 22 kilometra është rruga kombëtare Dhërmi-Borsh, ndërsa të tjerat janë të gjitha rrugë të fshatrave që zbresin drejt detit. Investime të mëdha janë bërë në shëtitoret, sheshet, trotuaret, ndriçimin, kanalizimet, ujësjellësit e kësaj zone. Ka përfunduar dhe do inaugurohet ujësjellësi i Himarës, i Vunoit, i Gjolekës dhe së shpejti do të fillojnë punimet për ujësjellësin e Kudhësit dhe të Qeparoit. Ju garantoj se unë do të mbaj fjalën time se jo vetëm për nënat dhe motrat e Pilurit që mbajnë ujin me bucelë, por për të gjitha nënat e motrat shqiptare që ende mbajnë ujin me bucelë, kjo qeveri do të bëjë gjithçka që t’ua heqë bucelën nga shpina, sepse nuk e meritojnë. Ato meritojnë shumë më mirë e shumë më tepër, meritojnë të mos mbartin në supet e tyre vuajtjet e nënave dhe gjysheve të tyre dhe ne do ta bëjmë këtë. Ne shohim me kënaqësi të madhe se turizmi është bërë degë kryesore e ekonomisë shqiptare”.
Duke vënë theksin te rëndësia që qeveria i ka kushtuar investimeve në turizëm, kryeministri Berisha, bëri të ditur më tej, shifrat e këtyre investimeve, krahasuar me shifrat e investimeve të qeverive të mëparshme socialiste.
“Vëllezër e motra, po të kthehemi pak vite më parë, në këtë breg dhe në gjithë gjatësinë e tij, njerëzit kanë jetuar me mund e djersë. Këtu, si askund tjetër, nuk kanë ndërtuar kopshte mbi shkëmbinj, siç kanë bërë banorët e bregut, në një betejë shekullore për copëza toke, por kanë krijuar kopshte të mrekullueshme. Nga ana tjetër, ata nuk kanë mundur asnjëherë të shfrytëzojnë pasurinë më përrallore të trevës së tyre, turizmin. Shumë bij dhe vajzat tuaja punojnë sot, në Greqi apo vende të tjera. Unë ju garantoj se do të jetë e afërt dita, kur ata do të kthehen në këto fshatra dhe të punësojnë një pjesë të atyre, me të cilët punojnë në Greqi dhe kudo. Turizmi është një nga degët më kryesore. Sot, sërish ai është në hapat e tij fillestare. Në këto 5 vite, turizmi është dhjetëfishuar dhe dhjetëra herë më shumë do të rritet në vitet që vijnë. është në detyrën tonë, të qeverisë, të qeveritarëve vendorë, të qytetarëve të këtij vendi, të të rinjve dhe të moshuarve, të bëjmë gjithçka për t’ua lehtësuar dhe zbukuruar pushimet atyre që vijnë tek ne dhe vendosin të gëzojnë pushimin vjetor në Shqipëri. Qeveria po bën investime të mëdha. Investimet në fushën e turizmit gjatë këtyre 5 viteve, janë mbi 30 herë më të mëdha, sesa 8 vitet e tjera të marra së bashku. Mikpritja shqiptare është një faktor tjetër madhor që ka bërë që të vërshojnë turistë nga mbarë bota. Rrugët që ndërtuam bënë që kombi, shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri dhe jashtë saj, të mbajnë sytë drejt detit. Përpjekje të tjera duhet të bëjmë se nuk mund të themi se në kaq pak vite, ne krijuam traditën e mrekullueshme të mikpritjes së turistëve. Ne kemi traditën shqiptare, por duhet ta përpunojmë më tej atë dhe të ngremë çdo shërbim në lartësitë më të mëdha, në mënyrë që çdo qytetar që vjen në breg, në Durrës, Velipojë dhe kudo të largohet me dëshirën për t’u kthyer përsëri, sa më shpjet”, u shpreh Berisha.
Më tej kryeministri, ftoi sërish drejtuesit e opozitës, të bëhen pjesë e prekjes dhe evidentimit të këtyre sukseseve në punën e qeverisë.
“Ju e ndiqni vetë realitetin, si kontraston ai, si nata me ditën, me vajet e kallogjerëve të nihilizmit. Duke ardhur këtu, më lindi ideja që rrugën e Palasës, zoti Bollano ta inaugurosh me zotin Paskal Milo. Zoti Milo të marrë lidershipin e opozitës e ta sjellë në Palasë, të vijë në Vuno të shohë edhe dajot e tij, se 8 vjet nuk lëvizën as 8 gurë dhe tani, nga mëngjesi deri në darkë, mohojnë, mohojnë dhe vetëm mohojnë. Pasi të kthehen nga Makao dhe Los Anxhelos, pasi i kanë shumë qejf kazinotë, të zbresin në Palasë, edhe pse nuk ka kazino, por ka rrugë shumë të bukur dhe një nga peizazhet më të bukura të Europës. Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se ne do të kompletojmë në këtë bashki, por dhe në mbarë vendin, një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe do të bëjnë çdo gjë që të jetë sa më e afërt dita, kur këtë vend ta vizitojnë jo më pak se 7 milion turistë, në vit, ta bëjmë Shqipërinë vendin më të vizituar, sepse asnjë vend tjetër nuk ofron bukuritë natyrore përrallore, siç i ofron Shqipëria. Tani, ne jemi përqendruar në bregdet, në ultësirën bregdetare, por me një vëmendje po qëndrojmë drejt maleve. Ne nuk do t’i braktisim ato kurrë. Sepse në male, ne ruajtëm ekzistencën tonë, bukuritë e tyre janë mahnitëse. Ne po ecim me rrugë, me infrastrukturë në drejtim të të gjitha maleve të vendit, drejt çajupit, drejt Tomorit, Voskopojës, Prespës, Bjeshkëve të Namuna, Thethit, Bogës, Razmës, Lurës, Kalasë së Dodës, Shishtavecit, Korabit. Ne do ta bëjmë këtë vend që shqiptarët ta shijojnë në çdo kohë dhe çdo stinë dhe që miqtë e tyre nga gjithë bota, gjithashtu ta shijojnë në çdo kohë e në çdo stinë. Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht”, përfundoi Berisha.