Theret me thikë brenda shkollës nga shoku 17-vjeçar
Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e djeshme në një nga shkollat e Peshkopisë, ndërsa policia ka arrestuar autorin
DIBËR Një 17-vjeçar është qëlluar me thikë nga bashkëmoshatari i tij brenda në ambientet e shkollës, ndërsa ende nuk është bërë i ditur se cili ka qenë shkaku i zënkës mes tyre. Ngjarja tragjike ka ndodhur në mjediset e brendshme të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë. Krenar Bardulla, nxënës i vitit të dytë të kësaj shkolle, mbeti i pajetë para zyrës së drejtorit të shkollës, ndërkohë një tjetër që mendohet të jetë autori i krimit, Ermal Reçi, është plagosur dhe ndodhet në spitalin rajonal të Dibrës. Ata janë grindur dy herë brenda ditës, madje herën e fundit thjesht për lojën e basketbollit që po zhvillonin në orën e fizkulturës. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20 të paradites së djeshme në ambientet e shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” të qytetit të Peshkopisë, ku për motive të dobëta Ermal Reçi ka goditur me thikë shtetasin Krenar Bardulla, 17 vjeç, nga qyteti i Peshkopisë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spitalin rajonal të këtij qyteti.
Ngjarja
Mëngjesin e ditës së djeshme askush nuk ka sqaruar policinë lokale pse Ermal Reçi dhe Krenar Bardulla janë zënë me njëri-tjetrin. Dy të rinjtë janë parë teksa kanë ngritur tonet, por shkakun e vërtetë të debatit mes tyre askush nuk mund ta thotë. Ndërkohë, në orën e edukimit fizik dy të rinjtë kanë debatuar përsëri, por këtë herë për topin e basketbollit. Ky debat nuk është vënë re nga mësuesit dhe shokët e dy nxënësve. Në orën 10:45, kur nxënësit po hynin brenda shkollës për të vijuar orët e mësimit, sapo kanë ngjitur shkallët e katit të parë, fare pranë zyrës së drejtorit të shkollës, Ermal Reçi ka goditur me thikë disa herë shokun e tij Krenar Bardulla, duke e lënë pa ndjenja mes një pellgu gjaku. Të tjerë nxënës mendohet të jenë përfshirë në konflikt pasi Reçi ka mbetur i plagosur. Mësues të shkollës kanë lajmëruar komisariatin e policisë për ngjarjen, ndërkohë që për shkak të panikut dhe frikës shkolla është boshatisur brenda pak minutave. Mësuesit kanë siguruar një mjet dhe kanë dërguar të plagosurin rëndë, Krenar Bardulla në spitalin e qytetit, por pas çerek ore ai ka ndërruar jetë. Mjekët sqaruan se viktima kishte marrë plagë në organet jetësore.
Shumë shpejt kanë mbërritur në spital edhe prindërit e Bardullës, por e kanë gjetur djalin e tyre të pajetë. Policia ka identifikuar si autor të ngjarjes Ermal Reçin, 17 vjeç, banor i qytetit të Peshkopisë. Ai ndodhet në spitalin e qytetit, i plagosur me thikë. Nuk dihet kush e ka goditur, por Reçi mendohet të jetë autori i krimit të kryer dje në qytetin e Peshkopisë. Policia ka marrë në pyetje drejtues të shkollës, mësues, nxënës dhe po heton për të gjetur shkaqet e vërteta të ngjarjes së rëndë. Drejtuesit e shkollës kanë mbyllur telefonat dhe nuk pranojnë të prononcohen për ngjarjen, ndërkohë që specialistë të kësaj fushe thanë dje për “MAPO”-n se ngjarja mund të parandalohej vetëm nëse mësuesit apo policia lokale do ta kishin ditur se nxënësit mbajnë thika e sende të tjera të ndaluara në mjediset shkollore. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur nga autori i këtij krimi. Mbi të arrestuarin rëndon akuza e “vrasjes me dashje” dhe “mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. P. HASA