Akuzat për marrëveshjen e Portit të Durrësit, Rama: Poshtërsi në dëm të interesit të vendit! Synimi, pengimi i investimit

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me marrëveshjen e Portit të Durrësit, duke i konsideruar “sulm haxhiqamilist i Aleancës së Rublave”. Në një postim në Twitter, Rama shkruan se synimi i këtyre sulmeve, sipas tij, është pengimi i këtij investimi që do të transformojë Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.
“Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë! Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed”, shkruan Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ardhja e një prej kompanive “flamur” të Emirateve të Bashkuara është, përveç të tjerash, një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…”, përfundon Rama postimin e tij.
Opozita ka kundërshtuar marrëveshjen për Portin e ri të Durrësit, ku Komisioni i Rithemelimit dhe Partia e Lirisë e konsiderojnë një “mega-aferë”. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese një padi, duke kërkuar zhbërjen e kësaj marrëveshje. Sipas tyre, nëpërmjet kësaj marrëveshje, po grabitet pasuria publike për interesa personale.
Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht, teksa kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë si një investim që do të ndryshojë jo vetëm qytetin e Durrësit, por gjithë Shqipërinë.
/rtsh.al/