Gjiknuri takon përfaqësuesit e ODIHR: Zgjedhjet në përputhje me standardet!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PS zhvilluan të premten një takim me përfaqësuesit e ODIHR-it, Alexey Gromov dhe Kakha Inaishvili.
Dy zyrtarët e lartë të ODIHR ndodhen në Tiranë në kuadër të Misionit të Vlerësimit të Nevojave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit në Shqipëri.
Gjiknuri, i cili është njëherësh dhe bashkëkryetar i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, u shprehu përfaqësuesve të ODIHR-it besimin e tij të plotë se zgjedhjet e ardhshme lokale do të zhvillohen në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
“Ofrova gatishmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar në një klimë sa më të qetë politike përpara, gjatë dhe pas procesit zgjedhor” tha zoti Gjiknuri. “PS mbetet e angazhuar maksimalisht për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Thelbësore mbetet nevoja që të gjitha forcat politike të shprehin besim tek procesi dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve si një shenjë pjekurie politike” tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
/ rtsh.al /