Një ditë para protestës, Berisha thirrje qytetarëve që t’i bashkohen: Synimi madhor, përmbysja e regjimit të Ramës

Një ditë para protestës së lajmëruar prej tij, kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se synimi kryesor i kësaj proteste është largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti, ndërsa e konsideroi kreun e qeverisë si “anti-shqiptar”.
“Të bashkohemi për kauzën tonë të drejtë ditën e nesërme dhe të çelim me akt-protestë një lëvizje të fuqishme që ka si synim madhor përmbysjen e këtij regjimi anti-shqiptar. Ka si synim madhor rikthimin e Shqipërisë në standardet demokratike, votën e lirë. Ndëshkimin e hajdutëve, shpartallimin e krimit të organizuar me zero tolerancë. Ka si synim madhor që vendimet për Shqipërinë të mos merren në Beograd, Ankara e askund tjetër përveç se në Tiranë nga shqiptaret. Të largojmë një person, një armik të qenies sonë kombëtare sa më parë nga pushteti. Protesta, ju e shihni, sirenat e zemërimit, urrejtjes ndaj kësaj qeverie, po ulërijnë në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Ndaj shpreh mirënjohje për të gjithë ata që do mbushin nesër rrugët dhe sheshet e Tiranës”, tha Berisha.
Ditën e nesërme (12 nëntor) Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste “kombëtare”, të cilës i është bashkuar edhe Partia e Lirisë.
/rtsh.al/