E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për pasurinë, Vokshi: PS po shpif, do t'i drejtohem gjykatës

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka reaguar pas akuzave të PS-së se ajo ka bërë favorizime në kohën kur ka qënë këshilltare e kryeminitrit Berisha duke i dhënë babait të fëmijës koncesione. Në një deklaratë për shtyp deputetja e PD-së Vokshi duke i cilësuar këto akuza si shpifje në adresë të saj ka theksuar se do t'i drejtohet gjykatës për të vënë në vend dinjitetin e saj.

"Mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime të pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, une do të zbatoj me përpikmëri kërkesat e tij, ashtu siç kam bërë dhe deri tani" theksoi Vokshi.

Ndërsa për sa i përket pretendimeve se Arian Tartari ka përfituar licenca të favorizuara, Vokshi theksoi se Rama duhet të përgjigjet se nëse i ka ndërhyrë ndokush për leje ndërtimi.

"Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën a i ka ndërhyrë ndokush për shumë leje ndërtimi që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari ka marrë nga bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005, periudhë në të cilën qeveriste PS kush ka ndërhyrë? Arjan Tartari, ka filluar bizneset e tij që në vitin 1990 dhe ka punuar pa ndërprerje dhe me korrektesën më të madhe pavarësisht se cila parti ka qeverisur" thekson më tej Vokshi.

Ajo gjithashtu thekson se nuk ka bërë as edhe një ndërhyrje në favor të biznesit të tij as për leje ndërtimi, as për licenca të tjera duke shtuar se në rast se vërtetohet e kundërta jam e gatshme të heq dorë nga mandati i saj.

"Lidhur me shpifjet dhe trillimet e turpshme të Edvin Kristaq Ramës do t' i drejtohem gjykatës në mënyrë që të vë në vend dinjitetin dhe drejtësinë mbi këtë rast" përfundoi Vokshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›