E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat per vrasesin e Kolorados

Autori i masakrës në Aurora të Kolorados, James Holmes, është akuzuar zyrtarisht në Gjykatë për vrasje dhe tentativë vrasjeje në lidhje me episodin më të tmerrshëm të vrasjeve masive në Shtetet e Bashkuara. 24-vjeçari James Holmes përballet me 12 akuza, për vrasje të shkallës së parë të kryera me një indiferencë maksimale dhe 116 akuza për vrasje në tentativë.
12 persona humbën jetën dhe 58 të tjerë u plagosën, pasi ai hapi zjarr pa parë se kishte përpara në një kinema të mbushur plot më 20 korrik. 10 nga të dëmtuarit në ngjarje mbeten në spital, katër prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Holmes akuzohet gjithashtu për vendosjen në shtëpinë e tij të një sasie të tillë eksplozivësh që mund të hidhnin në erë të gjithë ndërtesën. Autoriteteve iu deshën disa ditë për të zhvendosur eksplozivin. Dokumentat e dorëzuara të premten në Gjykatë thonë se i dyshuari kishte qenë nën kujdesin e një psikiatri në Universitetin e Kolorados në Denver. Prokurorët thonë se do të duhen disa javë përpara se të merret një vendim nëse do të kërkohet dënimi me vdekje për autorin e masakrës në Aurora.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›