Akuzat sindikale

Më në fund doli një vetëkritikë e punës së sindikatave. Në mbyllje të aktiviteteve të këtij viti, Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës ka vënë në dyshim funksionimin e sindikatave të Kosovës gjatë vitit 2009. Përveç kësaj, udhëheqësit e KSLK-së kanë kërkuar që sindikatat të mos kenë rol vendimmarrës në institucionet e Kosovës, posaçërisht në privatizim.
Ndërkaq, rivali tjetër sindikal, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se kjo punë është e rregulluar me ligj dhe nuk vendos për të KSLK-ja. Nënkryetari i kësaj sindikate, Ali Dragusha, ka vlerësuar se puna dhe roli i sindikatave gjatë vitit ka qenë i zbehtë dhe pa asnjë ndikim në ndryshimin e gjendjes së rëndë për punëtorinë kosovare. Dragusha më shumë i adresonte kritika krerëve të BSPK-së se qeverisë, e cila është e thirrur për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ai ka kërkuar nga kolegët e tij në BSPK që të marrin pjesë vetëm si vëzhgues në Bordin e AKP-së. Në këtë mënyrë vlerëson se mund të arrihet më shumë ndikim në këtë proces. “Procesin e privatizimit e bën qeveria e jo përfaqësuesit sindikalë”, ka thënë Dragusha, duke akuzuar zyrtarët e BSPK-së se po e bllokojnë edhe funksionimin e Këshillit Ekonomiko Social.
Ky këshill ka gati një vit që nuk ka kuorum, për shkak të mungesës së BSPK-së dhe Odës Ekonomike si partnerë socialë. Këto dyja nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit, pasi që, sipas përfaqësuesve të tyre, nuk po respektohen kriteret e caktuara nga qeveria për përfaqësim në bazë të numrit të anëtarëve që ata kanë.
Megjithatë, krerët e KSLK-së thonë se vendin në këtë këshill e kanë të merituar dhe me regjistrimin e ri të sindikatave do të dihet saktë kush kënd e përfaqëson. Ata vlerësojnë se gjatë këtij viti nuk është shënuar ndonjë përparim i theksuar në realizimin e interesave të punëtorëve, por as në objektivat sindikale për shkak të bojkotit që po bën BSPK-ja. Mungesa e një uniteti sindikal, sipas Dragushës, ka bërë të mungojë edhe forca sindikale karshi qeverisë për miratimin e Ligjit të punës, Ligjit për sigurimin social, Ligjit për organizimin sindikal dhe Ligjit për greva.
“Gjendja e punëtorëve kosovarë vazhdon të jetë e rëndë dhe pa ndryshime. Përballemi me shkallë të papunësisë prej mbi 50 për qind, shkallë të varfërisë mbi 35 për qind dhe varfërisë ekstreme në shkallë prej mbi 15 për qind”, është shprehur Dragusha. Në anën tjetër, kryetari i BSPK-së thotë se nuk do të merret me deklaratat e pakuptimta të KSLK-së.
Përfaqësimin e sindikatave në Bordin e AKP-së ai thotë se e ka vendosur Kuvendi i Kosovës me ligj dhe mos të ishte sindikata situata do të ishte më e rëndë për punëtorët në procesin e privatizimit.
“Për këtë nuk vendos KSLK-ja, por është caktuar cili subjekt përfaqësohet në bazë të ligjit që ka kaluar në Kuvend”, thotë Arifi. Sipas tij, krahu sindikal që po kritikon, e ka përfaqësuesin e tyre në bord dhe nuk kanë bërë asgjë në të mirë të punëtorëve. Me këtë ai aludon tek Bahri Shabani, i cili para se të bëhej anëtar i bordit të AKP-së, ishte kryetar i KSLK-së.