Ligji, ekspertët: Ve në dyshim kursimet e emigrantëve
TIRANË- Më shumë se përshkallëzim i luftës ndaj krimit të organizuar, miratimi i ligjit anti-mafia shihet si një kërcënim për pasuritë e personave të cilët i kanë përfituar ato në mënyrë të ligjshme por nuk kanë mundësi të faktojnë burimin. Përfaqësues të biznesit e shohin këtë ligj si një kërcenim për pasuritë e emigrantëve. Kreu i zyrës së Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, i kërkoi disa ditë më parë presidentit të Republikës që të mos dekretojë një ligj të tillë. Sipas Buxhukut, aplikimi i tij në Shqipëri në formën që është miratuar nga parlamenti rrezikon të ardhurat e mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët në shumicën e rasteve pa dëshirën e tyre, punojnë në rrugë informale duke mos mundur të deklarojnë të ardhurat. "Me termin 'nivel i pajustifikuar ekonomik' në ligj mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria e një numri prej më shumë se 1.5 milionë qytetarësh shqiptarë, që kane jetuar në emigracion prej pothuaj 20 vitesh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe mund të punojnë per arsye te padeshirueshme në "të zezë". Bazuar në ligin anti-mafia, arrijmë në përfundimin se të ardhurat e siguruara në kushtet e mësipërme të punës do të klasifikoheshin të paarsyetuara, ndërsa më tej mund të emërtohen edhe si të siguruara në mënyrë kriminale dhe si rrjedhim duhet të konfiskohen nga shteti, - thekson ai. Më shumë se ligj anti-mafia, zëvendës drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija, e cilëson atë si një ligj anti-para.
Këtij alarmi i janë bashkuar edhe ekspertë të tjerë të ekonomisë sipas të cilëve, ligji mund të trembë emigrantët duke bërë që të largojnë kursimet e tyre nga bankat shqiptare.
I pyetur nëse ekziston ky rrezik, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, siguroi se kursimet e shqiptarëve janë mëse të sigurta.