Kujdes nga lëngjet nga Serbia!

Gati të gjitha lëngjet e LaVita, Takovo, Hello, Fruvita, Verde, si dhe Nectar janë të dëmshme për shëndetin. Këto lëngje, që prodhohen në Serbi, vetë shteti serb ka urdhëruar qytetarët që të mos i blejnë. Njëkohësisht është kërkuar heqja komplete e tyre nga shitja, transmetojnë mediet e Serbisë.
Që të gjitha këto lloje të lëngjeve janë prezentë edhe në tregun e Kosovës dhe kanë nivel të lartë të shitjes. Pas kontrollit të kualitetit të këtyre lëngjeve që u është bërë nga institucionet e Serbisë, Organizata për Konsumatorë, që nga data 10 dhjetor ka kërkuar nga ministria e Bujqësisë së Serbisë, ajo e Tregtisë dhe Shërbimeve, si dhe nga Inspektoriati i Tregjeve që të ndalojnë rreptësisht shitjen e këtyre produkteve në Serbi. Kjo organizatë, bazuar në analizat laboratorike, ka konstatuar se pirja e këtyre lëngjeve dëmton rëndë shëndetin për shkak të mospërmbushjes elementare të kritereve për ushqim.
Bashkë me kërkesën e tyre, siç transmetojnë mediet e Serbisë, kjo organizatë ka deponuar të gjitha analizat e bëra laboratorike që kanë rezultuar negative.