E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzohet për korrupsion nga BE, vendoset ekstradimi

Gjykata e Tiranës, dha dje OK për ekstradimin e italianit në bazë të kërkesës së autoriteteve belge të drejtësisë


Avokati e cilësoi vendimin skandaloz, pasi sipas tij kërkesa ka mbërritur me faks dhe jo nëpërmjet rrugëve zyrtare


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi dje ekstradimin e biznesmenit Italo Xhigante (Italo Gigante) drejt Belgjikës, ku akuzohet për veprat penale të "korrupsionit aktiv dhe pasiv"; "falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara", si dhe "pastrimit të parave" në bashkëpunim.


Gjyqtari Ibrahim Hoxha, pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorisë, bazuar në kërkesën e autoriteteve belge për ekstradimin e Xhigantes 57- vjeç, vendosi pranimin ekstradimit drejt Brukselit. Vendimi Hoxhës nuk u vlerësua si i drejtë nga avokati i Xhigantes, Ardian Visha.


Në një reagim për "Shekullin" pas vendimit të Hoxhës, Visha e cilësoi vendimin "skandaloz" dhe "jo profesional". Deri përpara vendimit Xhigante ishte i izoluar në banesën e tij në rrugën "Mihal Duri" me masën e "arrestit të shtëpisë".


Shkalla e Parë në seancën e vlerësimit të arrestit e caktimit të masës së sigurisë, me 16 korrik kishte vendosur izolimin në qeli me masën "arrest me burg" për biznesmenin Xhigante. Ky i fundit, gjatë asaj seance gjyqësore pati deklaruar se ishte i pafajshëm, ndërsa akuzat për të cilat ai akuzohej i kishte vuajtur njëherë në Belgjikë.


Dy ditë më parë, avokati Visha kërkoi lirimin e klientit të tij, pasi ende nuk kishte mbërritur kërkesa për ekstradimin e tij nga Belgjika. Por në mënyrë të papritur kërkesa është paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore nga prokurori i çështjes, ndërsa ajo ishte firmosur nga oficeri i kontaktit i përfaqësisë belge në Tiranë.


Biznesmeni italian është arrestuar më 14 korrik në aeroportin e Rinasit sapo kishte shkelur në territorin shqiptar, për llogari të Inteprolit belg, të cilët kishin lëshuar një urdhër arresti për akuzën e përfshirjes në një skemë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë dhe Nju Delhi të Indisë.


Akuza


Biznesmeni Italo Xhigante akuzohet nga autoritetet belge për "korrupsionit aktiv e pasiv"; "falsifikimit e përdorimit të dokumenteve false", si dhe "pastrimit të parave".


Vetë i arrestuari gjatë vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë kishte mohuar akuzat, duke pretenduar se për këto akuza ai ka vuajtur njëherë dhe se nuk i ishte fshehur drejtësisë. Arrestimi i ndërtuesit Xhigante u krye në aeroportin e Rinasit, mbi bazën e urdhër-arrestit me nr.121/04, të 31 korrikut 2007, nënshkruar nga gjyqtarja Berta Bernando Mendez.


Ai u akuzua në mars të 2007-s, e u arrestua fillimisht së bashku me tre zyrtarë italianë, të Komisionit Evropian. Ata dyshohet se janë përfshirë në një skemë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të godinave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë, si dhe Nju Delhi të Indisë.


Sipas akuzës, Xhigante, me ndihmën e një kompanie belge, që prej kohësh merrej me mirëmbajtjen dhe rindërtimin e ndërtesave të Komisionit Evropian (Berlaymont) dhe Këshillin Evropian (në ndërtesën Lipsius Justus), kishin nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me një shumë prej 60 milionë eurosh.


Ata gjetën në Shqipëri një ndërtesë shtatë kate që ishte e re dhe e sapondërtuar në lagjen Laprakë të Tiranës. Përfaqësuesit evropianë do të përdornin katër kate për zyra dhe katin e pestë për vendbanimin e kryetarit të delegacionit të KE-së. Kjo ndërtesë, edhe pse e re, në letra u përshkrua si ndërtesë e rindërtuar me paratë e fondit të BE-së dhe më pas me një qira rreth 50 mijë euro në muaj.


AVOKATI: Vendimi është absurd


"Vendimi i gjyqtarit është një vendim skandaloz dhe jo profesional. Pasi nuk mund të vendoset ekstradimi i një personi duke mos respektuar nenin 12 të Konventës Ndërkombëtar të Ekstradimeve.


Nuk mund të ekstradohet një person me dokumente fotokopje dhe fax-e të ardhur nga Belgjika, apo më e keqja kërkesa për ekstradim është firmosur nga polici i përfaqësisë belge në Tiranë dhe jo nga Ministri i Drejtësisë së vendit kërkues",- tha avokat Ardian Visha duke shtuar se vendimi do të apelohet në Gjykatën e Apelit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›