Dade: Të fillojë hetimi me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore
Partia Socialiste reagon ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha në konferencën e ambasadorëve
Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha, duke i kërkuar këtij të fundit që të harrojë se ka më ndonjë shqiptar që e beson përrallën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit.
Në një deklaratë për mediat, sekretaria për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, tha se edhe vetë ata që e kanë votuar Sali Berishën e dinë se zgjedhjet u vodhën.
"Madje, po t'i referohemi rezolutës së Parlamentit Europian, duket qartë se problemet e rënda me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë një shqetësim tejet serioz dhe për Bashkimin Europian", solli në vëmendje deputetja socialiste.
Ajo tha se shqiptarëve nuk u intereson çfarë thuhet për të shkuarën, po çfarë bëhet për të ardhmen. "Prandaj, transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit i duhet Shqipërisë si mjeti për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme.
PS pret që me nisjen e punimeve të Kuvendit të fillojë hetimi parlamentar me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Që kurrë më Ruzhdiet të mos përmbysin rezultatin e vendosur nga populli", reagoi Dade. Sipas zyrtares socialiste, opozita e ka ofruar kompromisin e saj në mbështetje të plotë të ligjit e me vullnet për zgjidhjen e krizës.
Sekretarja e PS nënvizoi se "Sali Berisha duhet të hapë menjëherë kutitë, ose përndryshe duhet të largohet pa rritur më tej kostot ekonomike e sociale të qëndrimit të tij mbi karrigen e pushtetit të vjedhur".