Akuzojnë dhe tërhiqen
Dhjetë shtëpi filmike janë tërhequr nga Konkursi për mbështetje të filmave, i shpallur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, për shkak të, siç thanë ata, shkelje të ligjit dhe konflikt interesi. Shtëpitë filmike, në mesin e të cilave edhe ato të udhëhequra nga aktorët Enver Petrovci dhe Blerim Gjoci, janë tërhequr nga ky konkurs dhe i kanë bërë thirrje ministrit të kulturës që t’i shkarkojë nga detyra drejtorin e QKK-së Fatos Berisha si dhe Këshillin Drejtues të QKK-së.
Në një konferencë për media, që u mbajt të mërkurën në kinemanë ABC, këta kineastë, të prirë nga Blerim Gjoci, thanë se juria e propozuar nga drejtori i QKK-së, dhe e aprovuar nga Këshilli Drejtues, për ta e humb legjitimitetin e të qenit juri e drejtë dhe e paanshme. Ndërsa, shtimin e mëvonshëm të dy anëtarëve të rinj, ata konsiderojnë se nuk është asgjë tjetër vetëm se një tentim i zbehtë për të kamufluar nepotizmin brenda në QKK.
“Përderisa ne, komuniteti artistik, pas shkeljeve të evidentuara edhe zyrtarisht, kemi pritur që drejtori i QKK-së do të propozojë kandidatë të rinj, dhe siç e kërkon ligji, artistë prestigjioz me opus të pasur në krijimtari, Këshilli Drejtues vazhdon me avazin e vjetër duke mos çarë kokën për kërkesat e artistëve dhe për përfilljen e ligjit dhe mbarëvajtjes së procesit të seleksionimit të projekteve”, tha aktori Blerim Gjoci.
Ai beri thirrje që të respektohet Ligji për Kinematografi, ndërsa dha edhe arsyet e tërheqjes së projekteve të tyre nga konkurrenca.
“Duke mos dashur të jemi pjesëmarrës në vazhdën e shkeljeve flagrante të Ligjit, si dhe duke mos dashur të jemi pjesë e skemave që promovojnë nepotizmin, dhe duke mos dashur të jemi pjesë e grupacioneve, që me paranë publike sillen pa pikë respekti duke bërë kombinacione të ndryshme manipulimi, ne kemi vendosur që unanimisht të tërheqim projektet tona nga konkurrenca, me qellim që atyre që duan të manipulojnë me buxhetin për kinematografi t’u tregojmë se në Kosovë duhet të respektohet Ligji dhe se QKK-ja duhet të sillet konform Ligjit. QKK, si institucioni qendror i Kinematografisë, duhet të sillet konform Ligjit, qoftë në emërimet, qoftë në shpërndarjen e buxhetit që vie nga taksapaguesit”, tha Gjoci.
Në mënyre që procesi të ecën përpara, Gjoci i përmendi pesë kërkesa që kanë të bëjnë me këtë çështje. Kërkesa e parë i drejtohet Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e drejtorit të QKK-së dhe Këshillit Drejtues, dhe në vend të tyre të emërojë njerëz kompetentë, të cilët, sipas tij, do të rikthejnë besimin e humbur në QKK.
Ai kërkoi që të krijohet juria e re, e përbërë nga shtatë anëtarë, krijues me reputacion, të cilëve komuniteti artistik u beson në vlerësimet e tyre. Po ashtu kërkoi edhe nga Agjensioni Kundër Korrupsion që të hetojë rastin e konfliktit të interesit nga ana e drejtorit të QKK-së dhe nga ana e kryesuesit të Këshillit Drejtues. Një kërkesë ia dërguan edhe Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – Çohu, që të dalë në mbrojtje të vlerave kulturore dhe të parandalojë aferat korruptive në QKK. Dhe kërkesa e fundit ishte për Unionin e Artistëve të Filmit që fuqishëm të rreshtohet përkrah së drejtës. Ky union udhëhiqet nga vet Blerim Gjoci.
Sa i përket konfliktit të interesit në QKK, Arben Zharku, kryesues i Këshillit Drejtues, u shpreh se drejtori nuk merr vendime në QKK, por është juria ajo që i vlerëson projektet. “Juria nuk guxon të ketë konflikt interesi me aplikantët dhe vlerësimet e jurisë i merr vendime Këshilli Drejtues. Këshilli Drejtues merr vendim edhe për kuotën e subvencionimit, d.m.th. për shumën sa pare të jepen dhe cilat projekte vendos për t’i përkrahur. Në këtë rast drejtori nuk ka vendimmarrje dhe nuk ka kurrfarë konflikt interesi sipas Ligjit për Kinematografi”, tha Zharku. Ai tregoi për Express se konkursi nuk është anuluar. Sipas tij, gjithçka lidhur me konkursin është në rregull.
“E vetmja gjë që ka qenë në ankesën e tyre që ka qenë diskutabile është kjo puna e anëtarëve të jurisë, pesë apo shtatë. Sepse sipas statutit që e ka miratuar ish ministri Valton Beqiri, e kemi vërtetuar që ka qenë në kundërshtim me ligjin. Kur kemi kërkuar për jurinë kemi pyetur cili është numri më i vogël ata kanë thënë pesë se ashtu e kemi bërë më herët dhe kështu është me statut. Ne nuk jemi juristë dhe nuk e interpretojmë ligjin. Mandej është vërtetuar se me ligj është shtatë dhe jo pesë ose shtatë si është me statut dhe ne e kemi bërë numrin shtatë. E kemi plotësuar atë zbrazëti apo shkarje ligjore që është bërë dhe ka vazhduar procesi krejt normal”, shtoi Zharku.
Ai tregoi se pesë anëtarët e parë që kanë qenë i kanë dhënë mendimet e tyre, ndërsa vendimin që e ka nënshkruar Këshilli Drejtues për subvencionimin e filmave e ka anuluar dhe tani e presin edhe mendimin e dy anëtarëve të tjerë të jurisë. Këta dy anëtarë të jurisë janë Samir Karahoda dhe Adil Olluri.
Zharku tregoi se ata janë duke i lexuar skenarët dhe do ta japin vendimin shumë shpejt.
“Ata do të takohen dhe do të diskutojnë. Takimi i parë do të jetë i hapur, ndërsa kur të votohet, takimi do të jetë i mbyllur. Se cilin do ta votojnë ata nuk mund të paragjykoj”, u shpreh Zharku.
Lidhur me tërheqjen e dhjetë shtëpive filmike nga konkursi, Zharku u shpreh se është e drejtë e çdokujt të konkurrojë dhe po ashtu është e drejt e tyre të tërhiqen.
Lidhur me këtë çështje, Express kontaktoi edhe me njërin prej këshilltarëve të ministrit të kulturës, por ai kërkoi që t’i dërgohen pyetjet me email, të cilave, deri në orët e vona, nuk iu përgjigj.