E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo, 100 gola në 105 ndeshje

Cristiano Ronaldo është shprehur i lumtur që arriti kuotën e 100 shënimeve për Real Madridin kundër Olympique Lyonit në Ligën e Kampionëve, ku inspiroi fitoren 2-0 të mërkurën mbrëma.

Ylli portugez shënoi dy gola në Francë, të parin nga goditja e lirë e të dytin nga penalltia, dhe e ngriti në treshifror kuotën e golave për gjigantin madrilen.

Dy shënimet kundër Lyonit e dërguan kuotën e tij në 100 gola në 105 ndeshje për Los Blancos, por Ronaldo thotë se ka realizuar 101 duke aluduar në goditjen e lirë kundër Real Sociedadit vitin e kaluar, që nga zyrtarët e ndeshjes i ishte shkruar mbrojtësit Pepe. Ronaldo, i cili iu bashkua Realit më 2009, insistoi se gjëja më e rëndësishme është të ndihmojë ekipin spanjoll drejt suksesit.

“Jam i lumtur që kam shënuar 101 gola për Real Madridin. Nuk mund të zgjedh golin më të mirë sepse secili është i rëndësishëm dhe i ndihmon ekipit”, tha Ronaldo pas ndeshjes.

Fitorja ndaj Lyonit e kualifikoi Realin për në fazën eliminatore të garës. Ronaldo shpreson që gjiganti madrilen të vazhdojë me fitore në La Liga, ku aktualisht është në krye të tabelës me një pikë më tepër se Barcelona. “Objektivi i parë është arritur, tani është e nevojshme të luftojmë në La Liga”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›