E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Bano merr Urdhrin “Nënë Tereza”



Presidenti Bamir Topi ka dekoruar dje këngëtarin italian, Al Bano Karrizi, me Urdhrin “Nënë Tereza”. Gjatë një ceremonie të organizuar në Pallatin e Brigadave, këngëtari italian që njihet masivisht në Shqipëri, jo vetëm si pinjoll me gjak shqiptari, por dhe nga edicionet e San Remos, ka qenë prezent në Tiranë për të marrë Urdhrin e akorduar nga Presidenca shqiptare. Nën kolonën zanore të himnit kombëtar, Al Banos i është lexuar motivacioni: “Personalitetit të shquar të muzikës italiane, që me artin dhe talentin e tij të rrallë evidentoi dhe përçoi tek publiku vlerat e mëdha të humanizmit, lirisë dhe të një shoqërie më të drejtë, mikut të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dashuria për të cilët u bë pjesë e jetës së tij”.

Nga ana e tij, këngëtari i shquar italian, Al Bano Karrizi, mes emocionesh dhe duke falënderuar Presidentin Topi për këtë vlerësim të madh, u shpreh:

“Për mua është më e lehtë të këndoj se të flas, mbi të gjitha pasi dëgjova motivacionin e këtij takimi, motivacion emocionues dhe emocional. Për Shqipërinë kam dëgjuar qëkurse isha i vogël, e më pas kuptova se më parë vinte Shqipëria (“Albania”) e pastaj Al Bano. Kam dëgjuar gjithnjë valët muzikore “Shqipëria nëpër botë” e më kujtohej se që fëmijë sintonizohesha me radion, me radion e vogël që im atë kishte blerë, e cila kapte tinguj që vinin nga Shqipëria, këngë e pjesëza, falë afërsisë mes dy vendeve tona. Emocionues ka qenë edhe takimi i parë me Shqipërinë që shënon vitin 1985. Im atë, pasi pësoi infarkt, më kërkoi: “Përpara se të vdes, ti duhet të më çosh në Shqipëri”. Ishte im atë që më nxiti të vij këtu, që, si për të dhe për mua, ishte emocion tepër i madh. Vura re një reagim shumë të madh e të bukur nga ana e tij që, më tregonte se ku duhej ta çoja dhe që kudo, gjithçka ishte siç e kishte lënë ai. Mund ta përkufizoj raportin tim me Shqipërinë thjesht të bazuar tek emocioni që ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme, pikërisht më 19 shtator 1989, me koncertin e dhënë në stadiumin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve. Pra, kam qenë dëshmitar i një ndryshimi pozitiv e sot jemi këtu për të celebruar edhe atë moment. S’e kisha menduar kurrë se mund të takoja Presidentin e Republikës, zotin Topi, në “Sanremo”. Nëse do të kishte qenë e mundur, do ta kisha ftuar të këndonte së bashku me mua. Është e sigurt se do të kishim pasur një sukses të madh. Mes këtyre emocioneve, më mbetet vetëm një gjë për të thënë: “Faleminderit Shqipëri! Faleminderit zoti President! Faleminderit shqiptarë!”. Gjatë këtij takimi, këngëtari italian i dhuroi Presidentit Topi një kopje të librit “Al Bano & Albania” me autografin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›