Zhilla: Rajoni, institucione të përbashkëta për projektet e biznesit
Memorandumi i bashkëpunimit rajonal midis dhomave të tregtisë synon hapa konkretë në ndihmë jo vetëm të bizneseve, por dhe u jep zgjidhje shumë problemeve që dalin në rajon thanë përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së rajonit. “Ka ardhur koha t’i ndërtojmë gjërat konkretisht dhe t’u vijmë në ndihmë jo vetëm bizneseve, por dhe projekteve dhe programeve te zhvillimit”, - thotë Ilir Zhilla, president i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. “Duhet të ngremë institucione të përbashkëta me qëllim rritjen e efektivitetit të punës sonë në të ardhmen”, shton ai. Me nismën e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, synohet ngritja e një grupi të përbashkët pune për thithjen e projekteve dhe programeve të institucioneve ndërkombëtare njëkohësisht në të gjithë rajonin, që përbëhet nga katër vende, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Duke qenë se përgjithësisht projektet ndërkombëtare tashmë janë rajonale dhe përshtatja në zbatimin e tyre duhet të gjejë struktura të përputhshme, thanë përfaqësues së Dhomave të Tregtisë së rajonit. I realizuar brenda një kohë të shkurtër, takimi që do të mbahet në Vlorë më date 9 qershor synon angazhimin e përfaqësuesve të këtyre dhomave për të ngritur institucione të përbashkëta si dhe lobimin në fusha të tjera, si në infrastrukturë organizimin e paketave turistike të përbashkëta dhe shkëmbimin e informacionit për bizneset që operojnë në vendet respektive.