Trendi evropian i zgjedhjeve shqiptare
Nga Nebil Çika
Një leksion i pastër për elektoratin shqiptar ka mbërritur nga Evropa vetëm 20 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme. Parlamenti Evropian do të jetë blu edhe për një legjislaturë tjetër, duke dëshmuar edhe një herë suksesin politik të së djathtës. Ashtu si në zgjedhjet shqiptare, fitorja e të djathtës evropiane ishte parashikuar nga sondazhet, madje duke kaluar dukshëm edhe parashikimet. Zgjedhjet parlamentare të BE-së kanë natyrshëm një ndikim të dukshëm në zgjedhjet e Shqipërisë, ku e fituara e madhe pritet të jetë e djathta e Kryeministrit Berisha. Fakti që integrimi euroatlantik i vendit, në mënyrë të veçantë heqja e vizave me vendet e BE-së, janë “thembra e Akilit” e debatit elektoral, e bën ndikimin e trendit djathtas të zgjedhësve evropian përcaktues në trendin e pritshëm të zgjedhësve shqiptarë. Një Evropë e qeverisur nga qendra e djathtë, miq dhe aleatët politikë të Berishës dhe PD-së, natyrshëm e pret një gjë të tillë edhe nga Shqipëria, kandidate për në BE. Mirëpo votimi djathtas i elektoratit të BE-së tregon, përveç rëndësisë së lidhjeve, aleancave apo përkatësisë së njëjtë politike me fituesit e pritshëm shqiptarë të zgjedhjeve, edhe besimin e shoqërive më të zhvilluara e demokratike të Evropës tek politikat e djathta, sidomos në këto momente të vështira të krizës globale, një shembull i qartë për votuesit shqiptarë.
Natyrisht që kjo frymë evropiane vetëm e konsolidon e ndoshta edhe e rrit shifrën e rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që fitorja e PD-së tashmë duket një fakt i pranuar edhe nga të majtët. Sondazhi i fundit i organizuar nga “PULS” i financuar nga USAID dhe ambasada britanike shprehte qartësisht trendin e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. E përsërita këtë fakt tashmë të njohur për publikun për të theksuar faktin se ky rezultat është kalkuluar e vërtetuar nga njëri prej ekspertëve më të njohur juridikë të PS-së, Genti Ibrahimi, realitet që sipas zërave, i ka kushtuar këtij lënien jashtë listave socialiste të kandidatëve për deputet. Mirëpo leksioni evropian i zgjedhjeve pritet të ndikojë sa tek e djathta, aq edhe tek e majta shqiptare, që duket se i ka të gjitha gjasat të përfundojë në të njëjtën situatë me pjesën më të mirë të socialistëve evropianë, që në disa vende janë renditur të tretët.
Por ndërsa çështja e pushtetit në Shqipëri duket e paravendosur, lufta për përfaqësimin e së majtës mbetet pjesa më interesante e garës elektorale të 28 qershorit. Ka disa ditë që retorika politike e z. Rama po drejtohet gjithnjë e më shumë kudër rivalit te tij, brenda llojit, Ilir Metës. Ky zhvillim është pa dyshim rrjedhojë e informacionit që z. Rama ka për rezultatin negativ të partisë së tij në zgjedhje, gjë që e detyron atë të luftojë tashmë për vendin e dytë, vend që po i rrezikohet seriozisht. Fryma anti-Rama e krijuar në opinionin, por edhe brenda të majtës shqiptare, pritet të stimulohet dukshëm nga rezultatet zhgënjyese të së majtës evropiane. Pas kësaj, nuk ka gjasa që izolimi ndërkombëtar i Ramës dhe i PS-së të hiqet të paktën në një periudhë afatshkurtër, gjë që nënkupton zhvleftësimin në elektorat të pretendimeve të tij për integrimin në mënyrë të veçantë liberalizimin e vizave. Kush mund ta besojë që një BE, sidomos e dominuar fort nga të djathtët, do t’i hapë derën një Shqipërie, të drejtuar nga ish-komunistët e Ramës, Ruçi, Gjinushi, Leskaj e të tjerë ish-drejtues të diktaturës komuniste apo pinjollë politikë e gjenetikë të saj. Nëse ka aspekt ku elektorati shqiptar, pa dallime politike, nuk gabon kurrë, është orientimi euroatlantik i vendit, i shprehur ky përkundër dëshirës së PS-së në mbështetjen plebishitare të anëtarësimit në NATO dhe BE si dhe proamerikanizmin mbarëkombëtar.
Një pikë tjetër interesante e zgjedhjeve është edhe këmbëngulja e Berishës për të injoruar një fitore pa kundërshtar (afrofe) pas vendimit për moskandidim të Ramës. Vendimi i tij për të ndryshuar ligjin që do t’i mundësonte z. Rama kandidimin, tregon jo vetëm besimin në fitore, por edhe këmbënguljen e tij për një garë me standard moral, përveç atyre politike e juridike. Fitorja me një “ushtri pa komandant” ka vlerat politike e ligjore, por nuk ka lavdinë. Me situatën e krijuar, duket se lavdia është sfida reale e Berishës në këto zgjedhje. Ai ka gjithë te drejtën, por dhe komoditetin të kërkojë edhe standarde kalorësiake për sfidën e tij, gjë që nuk duket se ka gjasa ta realizojë.
Si përfundim, duket se pas këtij përcaktimi të qartë politik të elektoratit evropian, rezultati i zgjedhjeve shqiptare nuk mund të diskutohet më. Mbetet për t’u verifikuar vetëm masa e fitores së të djathtës si dhe mundësia e diskutueshme e PS-së për të ruajtur monopolin e vendit të parë tek e majta shqiptare.