E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Qaeda merr përgjegjësinë për sulmet e fundit në Irak

Shteti Islamik në Irak, siç njihet ndryshe dega Al Qaedes në Irak, ka marrë përsipër përgjegjësinë për atentatet e së enjtes së kaluar, që shkaktuan mbi 60 të vdekur dhe 180 të plagosur.

Organizata terroriste deklaroi se bëhet fjalë për një fushatë kontrasti ndaj planeve hegjemoniste të Iranit shiit, bën të ditur Site, qendra amerikane për mbikëqyrjen e faqeve islamike të internetit.

“Shteti Islamik në Irak e di ku dhe kur duhet të godasë dhe muxhaheidinët nuk do të qëndrojnë duarkryq teksa projekti i rrezikshëm iranian po bëhet gati për të treguar fytyrën e tij të shëmtuar”, thuhet në deklaratë.

Më 22 dhjetor, një seri sulmesh të koordinuara me bomba tronditën kryeqytetin e Irakut, Bagdadin, duke vrarë të paktën 68 persona dhe duke plagosur mbi 185 të tjerë.

Autoritete nga Ministria e Brendshme irakiane deklaruan se gjithsej u sulmuan 13 lokacione, përfshirë Al Amilin, në jug të kryeqytetit dhe Halauin e Karradën, në afërsi të qendrës.

Shpërthimi i bombave mbetet në rend të ditës në Irak, edhe pse dhuna sipas autoriteteve ushtarake amerikane ka rënë ndjeshëm që pas vitit 2006, kur kishte arritur kulminacionin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›