E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota nuk është e përgatitur për katastrofa

Bota nuk është e përgatitur për katastrofat e ardhshme për shkak se vendet e pasura nuk po bëjnë sa duhet, ka paralajmëruar sekretari britanik për zhvillimin ndërkombëtar, Andrew Mitchell.

Mitchell fajëson dështimin e shumë vendeve për të paguar për Fondin Qendror të Reagimit ndaj Emergjencave. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet dhe të përballet me këto sfida”, ka deklaruar Mitchell.

Qeveria britanike ka bërë gati 20 milionë funte për fondin, që do t’i shtohen 40 milionëve të premtuar më parë. Megjithatë, fondi do të pësojë një humbje prej 45 milionë vitin e ardhshëm.

Fondi, i ngritur nga Kombet e Bashkuara, është rrënuar për shkak të valës së katastrofave natyrore të këtij viti, si cunami në Japoni, një tërmet në Zelandën e Re, kriza e urisë në Bririn e Afrikës dhe përmbytjet në Pakistan dhe Filipine.

Mitchell tha se rritja e numrit të njerëzve që jetojnë në zonat e varfra tregon se tragjeditë në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha.

Fondi Qendror i Reagimit ndaj Emergjencave u ngrit në vitin 2004, pas cunamit vdekjeprurës të Oqeanit Indian.

Mitchell tha se shumë vende presin që katastrofat të ndodhin para se t’u ofrohet para, gjë që mund të sjellë pasoja në mënyrat e reagimit ndaj tragjedive.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›