E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Qaeda përgjegjëse për sulmet e fundit në Irak

Krahu i armatosur i vetëquajtur “Shteti Islamik Irakian” ka marrë përsipër serinë e sulmeve të së hënës në disa qytete të Irakut, ku mbetën të vdekur të paktën 113 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

“Operacioni i xhihadistëve tronditë armikun, e goditi fort atë dhe tregoi edhe njëherë dështimin e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës irakiane”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nëpër faqet e internetit nga organizata.

“Shteti Islamik Irakian”, i kryesuar nga Abou Bakr al-Baghdadi, me lidhje të forta me Al Qaedan, paralajmëroi sulme të tjera të ngjashme.

“Ky s’është gjë tjetër veçse fillimi i një fushatë ushtarake”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga al-Baghdadi. Shumica e të vrarëve ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë, të cilët kanë qenë me sa duket edhe shënjestra kryesore e sulmeve.

Me 41 viktima, Taji, një lagje sunite rreth 20 km në veri të Bagdadit, ishte një nga zonat e goditura më rëndë. Vala e sulmeve, në dukje të mirë-koordinuara, preku në total 13 qytete dhe fshatra të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›