Insiston në dialog

Kryeministri Hashim Thaçi u takua të enjten në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në atë që u cilësua si takim i rregullt në procesin e integrimeve europiane të Kosovës.
Edhe pse nuk kishte ndonjë konferencë për media nga ky takim, përmes komunikatave të lëshuara në Prishtinë dhe Bruksel, është bërë e ditur se temë kryesore e takimit ishte avancimi i Kosovës në rrugën e saj europiane, por edhe vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Thaçi, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, mes të tjerash thuhet se i ka përcjellë Baroneshës Ashton nevojën e realizimit të premtimeve të dhëna nga Bashkimi Europian që kanë të bëjnë me Kosovën.
“Kryeministri posaçërisht theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë dhe pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe rëndësinë e kontraktualizimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Më tej është thënë se Kryeministri ka informuar Përfaqësuesen e BE’së rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, dhe përpjekjet e Qeverisë në përmbushjen e kritereve dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme në fushat prioritare. Thaçi ka thënë se Kosova ka shënuar progres në reformat për sundim të ligjit, zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik, integrimin e komuniteteve pakicë dhe bashkëpunimin rajonal.
Megjithatë, një prej temave kyçe të takimit ka qenë edhe implementimi i marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, dhe nevojës për të vazhduar dialogun tashmë të ndërprerë disa muaj më parë.
Me gjithë përpjekjet ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut, Qeveria e Kosovës ka insistuar se kushti për të hyrë në një fazë të re të dialogut është implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, e në veçanti ajo e bashkëpunimit rajonal dhe IBM’it.
Këtë qëndrim, Kryeministri Thaçi thuhet se ia ka përsëritur prapë Baroneshës Ashton, duke theksuar se është imperative që të implementohen plotësisht të gjitha marrëveshjet, me kusht që të mund të bisedohet për vazhdim të dialogut.
Siç thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Përfaqësuesja e Lartë e BE’së ka treguar mirëkuptim të plotë për qëndrimin e Prishtinës, që, për të ecur tutje me dialog, është e nevojshme që marrëveshjet të zbatohen nga Serbia.
“Kryeministri dhe Baronesha shkëmbyen mendime rreth ecurisë së deritashme të dialogut Prishtinë – Beograd, të lehtësuar nga BE’ja si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog. Ishte konkludim i përbashkët se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në praktikë është imperativ për mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, përmes një deklarate, ka bërë të ditur se takimi mes Kryeministrit Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë të BE’së ka shërbyer si mundësi për të vlerësuar arritjet e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve europiane.
Ashton, thuhet në deklaratë, ka vlerësuar progresin e Kosovës gjatë vitit të fundit si substancial, dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës për të çuar përpara perspektivën europiane të vendit.
Edhe pse Përfaqësuesja e BE’së nuk ka dhënë detaje rreth mundësive për vazhdimin e dialogut, ajo ka thënë se menjëherë pas formimit të qeverisë në Beograd, dialogu duhet të vazhdojë shpejt. Por, Ashton gjithashtu ka shprehur rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve nga të dy palët.
“Përfaqësuesja e Lartë dhe Kryeministri Thaçi kanë diskutuar nevojën e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo gjithashtu ka theksuar se, pas formimit të qeverisë së re në Beograd, bisedimet duhet të vazhdojnë sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Brukseli.
Muajt e fundit, zyrtarë të ndryshëm europianë kanë bërë thirrje që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të ngrihet në nivel më të lartë politik. Kjo është kërkuar pasi që temat e ardhshme të dialogut cilësohen si të vështira dhe të ndjeshme, e posaçërisht ajo që ka të bëjë me Veriun e Kosovës.
Ajo që është përfolur publikisht, është mundësia që raundi i ri i dialogut të jetë në nivel kryeministrash ose presidentësh, dhe Bashkimi Europian tashmë është duke ndërmarrë hapa që të mbahet një takim, ose mes Thaçit dhe Daciqit, ose mes Tomislav Nikolicit dhe Presidentes Jahjaga.
Madje, vetë Baronesha Ashton është përfolur si ndërmjetëse në fazën e re të dialogut, nëse vendoset që bisedimet të mbahen në nivel të lartë politik.
Bashkimi Europian tashmë ka paralajmëruar se shumë shpejt Brukseli do të dërgojë ftesa të ndara për Kryeministrin Thaçi dhe mandatarin për formimin e qeverisë serbe, Ivica Daciq, që në Bruksel të mbahen konsultime rreth vazhdimit të dialogut.