Dëmtohen varrezat e hebrenjve në Hungari

Pesëdhjetë e shtatë varre janë dëmtuar në varrezën hebraike të Kaposvarit, 200 kilometra në juglindje të Budapestit. Policia ka bërë të ditur se vandalët i kanë shkatërruar e bërë copë e çikë gjithë këto varre.
Një ngjarje kjo që vjen menjëherë pas arrestimit të kriminelit nazist më të kërkuar të botës, hungarezit Laszlo Csatary. "Nuk bëhet fjalë për djem që janë zbavitur duke përdhosur varre”, tha presidenti i shoqatës së komunitetit hebraik të Kaposvarit. “Jam i bindur që bëhet fjalë për një akt nazist, e më saktë anti-semit”, shtoi ai.
Në 57 varret e përdhosura gjenden eshtrat e rreth 240 personave dhe dëmet llogariten në rreth 12 mijë euro. "Përdhosja e një varri, i çfarëdolloj feje apo komuniteti, është një akt thellësisht i çmendur dhe skandaloz”, deklaroi presidenti i shoqatës së komunitetit hebraik në Kaposvar.