Al Xhazira anullon transmetimin për Merah, Sarkozi: Faleminderit

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka falënderuar rrjetin televiziv Al Xhazira, pasi ky i fundit tha se nuk do të transmetojë pamjet e filmuara qëllimisht nga një person i armatosur, i cili akuzohet për vrasjen e shtatë personave në jugperëndim të Francës.
Më herët Sarkozi paralajmëroi se Franca do të bllokojë transmetimet e çdo kanali që përpiqet të bëjë publike videon në fjalë.
Nga ana tjetër Al Xhazira tha se pas shqyrtimit të pamjeve, të dërguara në zyrën e saj në Paris, ka konstatuar se “ato nuk kanë ndonjë informacion, që nuk ka qenë tashmë në domenin publik”.
Sarkozi u ka bërë thirrje transmetuesve të mos i bëjnë publike pamjet që ka filmuar vrasësi i dyshuar, Muhamed Merah, me kamerën e tij rreth qafës.
Autoritetet thonë se Merah, gjatë këtij muaji, ka qëlluar për vdekje tre ushtarë francezë, tre fëmijë hebrenj dhe një rabi.
Javën e kaluar, policia ka vrarë Merahun, militant islamik i vetëdeklaruar, pas një rrethimi prej 32 orësh në banesën e tij në Tuluz.