SHBA, sanksione të reja ndaj Iranit

Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive iraniane dhe tre anëtarëve të Forcës Kuds të Iranit, për rolin e tyre në eksportimin e armëve në Siri dhe Afrikë.
Sanksionet godasin kompanitë Yas Air dhe Behineh Trading, si dhe individët: Esmail Ghani, Said Ali Akbar Tabatabej dhe Susein Aghajan.
Sipas Qeverisë amerikane, veprimet e tyre i kanë ndihmuar Iranit t`iu shmanget sanksioneve ndërkombëtare për eksportim armësh.
Nënsekretari amerikan për Terrorizëm dhe Inteligjencë, Dejvid Kohen, tha se aktivitetet në fjalë tregojnë “ndikimin malinj të Iranit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe më gjerë”.
Ai u zotua se Uashingtoni do të vazhdojë të vërë në pah zyrtarët dhe kompanitë e përfshira dhe se do t`i mbajë përgjegjëse ato për vuajtjet që shkaktojnë.
Sanksionet ngrijnë të gjitha asetet në SHBA të individëve dhe kompanive të goditura, si dhe ndalojnë marrëveshjet biznesore të tyre me shtetasit amerikanë.