E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm, ethet hemorragjike të trajtohet nga niveli kombëtar

Drejtoria për Shëndetësi dhe ajo për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka mbajtur një takim me kryetarët e fshatrave të Komunës së Malishevës, me qëllim të njoftimit me situatën epidemiologjike dhe masat që duhet të ndërmarrin për ti ikur kontaktit me rriqra dhe formave tjera, që shkaktojnë ethet hemorragjike, pasi brenda 10 ditëve, kanë vdekur tre persona vetëm nga Komuna e Malishevës.

“Sot fatkeqësisht, kemi marrë lajmin, se pak para orës 10, ka vdekur edhe një persona nga komuna jonë, si pasojë e infektimit me ethe hemorragjike, andaj, ne si komunë, përmes juve si kryetar të fshatrave, apelojmë që të bëni kujdes të shtuar dhe mos i lejoni, sidomos fëmijët, të kenë kontakte me pjesët e zonave endemike, në mënyrë që ti ikin thumbimit nga rriqrat”, ka thënë drejtori i drejtorisë komunale për shëndetësi, Skënder Hoti.

“Ky është një problem që nuk i takon nivelit lokal, por duhet të trajtohet nga niveli qendror”, tha Hoti, i cili edhe njëherë bëri të ditur, se Ministria e Shëndetësisë, nuk ka ndihmuar asnjëherë në këtë drejtim, së paku që të na ndihmoj financiarisht në luftimin e kësaj sëmundje.

“Komuna ka ndarë 60 mijë euro, është kryer faza e parë e dezinsketimit dhe është duke vazhduar faza e dytë, por kjo është mundësia e vetme e komunës, që mund të bëj në këtë drejtim, por Ministria e Shëndetësisë, nuk na ka mbështetur me as edhe një cent”, tha Hoti, sipas të cilit ”komuna është duke e bërë këtë, jashtë kompetencave dhe mundësive të saj, përfshi edhe trajtimin e pacientëve që ju bëhet në emergjencën e QKMF-së”.

“Këtë që po bëjmë, është tërësisht jashtë kompetencave dhe mundësive tona, por kur është pyetje jeta e qytetarëve, ne e shkelim edhe ligjin”,tha Hoti.

Ai përsëriti, se “kjo sëmundje, është bio-terroriste dhe virusi “Kosova Hoti”, është 99% i ngjashëm me virusin Drosdov në Rusi”.

“Këtë virus e bartë një lloj i rriqrës së larme, e cila më parë nuk ka ekzistuar në rajonin tonë, andaj duhet të merren masa nga niveli qendror, për ta luftuar dhe gjetur shkaktarin dhe mënyrën e eliminimit të këtij virusi”, tha drejtori Hoti. “Komuna po bën gjithçka mundet, por më shumë nuk kemi mundësi të bëjmë”, tha Hoti, duke apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, që ekspozohen në këto zona endemike dhe në çdo rast të paraqiten në emergjencën e QKMF-së, pasi stafi është i trajnuar për largimin e rriqrave.
Po ashtu në këtë takim, u bë e ditur, se të tri rastet e vdekjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, paraprakisht, janë trajtuar në ordinanca private.

“Nuk kemi asgjë kundër mjekëve në ordinancat private, por ju lutem, paraqituni në emergjencën e QKMF-së, pasi si mjekët, ashtu edhe teknikët, janë të trajnuar, profesional dhe kanë përvojën e duhur për trajtimin e këtyre rasteve”, tha në fund drejtori për Shëndetësi, Skënder Hoti.

Ndërsa drejtori i QKMF-së, Besim Zogaj, i njoftoi për fushatat e vetëdijesimit, që janë mbajtur deri para dy dite, direkt nëpër shkollat e Komunës së Malishevës, si dhe i njoftoi në detaje për masat që duhet të kenë për tu mbrojtur gjatë punëve të përditshme në ara e fusha. Sipas Zogajt, “aktualisht, janë të regjistruar 1126 persona që janë paraqitur në QKMF nga thumbimi i rriqrave, prej tyre 11 raste janë konfirmuar me ethe hemorragjike dhe tri prej tyre, kanë humbur jetën, përderisa së paku dy persona janë në gjendje të rëndë”.

Sipas drejtorëve Hoti e Zogaj, faza më kritike, për mundësinë e infektimit me ethe hemorragjike, është deri në mesin muajit korrik.

Nga ana tjetër, kryetarët e fshatrave, kanë falënderuar Komunën e Malishevës, për angazhimin e saj maksimal, për spërkatjen e zonave endemike, por sipas tyre, kjo është e pakët dhe kërkuan ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më saktësisht, Ministria e Shëndetësisë dhe ministritë tjera, të angazhohen më seriozisht në trajtimin e etheve hemorragjike, përderisa shprehën gatishmërinë e tyre, nëse është nevoja, për të punuar vullnetarisht në këtë drejtim. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›