E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Kosova e di më së miri çfarë do të thotë një Serbi anti-evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën e njohur austriake ”Wiener Zeitung”, ka deklaruar se në Bruksel është arritur një marrëveshje e cila Kosovën dhe Serbinë i sheh si dy shtete fqinje.

Ndërsa, lidhur me hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis Prishtinës dhe Beogradit, ministri Hoxhaj, pohon se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme.

Në pyetjen e gazetës “Wiener Zeitung”, se a ka pasur takime mes ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, shefi i diplomacisë kosovare thekson se deri më tani nuk ka pasur asnjë takim bilateral në nivel të ministrave të jashtëm, por se ata kanë marrë pjesë në forume të ndryshme në botë dhe në konferenca të tilla, e “nganjëherë edhe kemi biseduar, dhe duke e krahasuar me periudhën e dy vjetëve më parë është krijuar një shtendosje midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ministri Hoxhaj thekson se një vizitë zyrtare nuk mund të ndodhë së shpejti, por se megjithatë ka zhvillime pozitive, pasi në dy vitet e fundit mes dy shteteve janë zhvilluar njëmbëdhjetë takime dhe është negociuar më shumë se 200 orë.

Duke u përgjigjur në interesimin e gazetës vjeneze lidhur me samitin në fund të muajit qershor të Këshillit Evropian, si dhe për reflektimet e tij në raportet Kosovë-Serbi, ministri Hoxhaj shprehet se vendimet e këtij samiti do të jenë në interes të Ballkanit dhe BE-së, duke shtuar se Kosova është shumë për atë që të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor të bëhen pjesë e Evropës.

Për këtë, ai shton se “në Ballkan nuk ka asnjë vend tjetër që e di më mirë se Kosova se çfarë do të thotë një Serbi anti-evropiane”, dhe pikërisht për këtë “ne jemi shumë për atë që në Beograd të kemi politika dhe forca evropiane”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›