E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk dinë për detajet e përafrimit të marrëveshjes

Komisioni për Punë të Brendshme i Kuvendit të Kosovës, ende nuk di për detajet e përafrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e gjyqësorit dhe policisë.

Ndonëse, kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë janë marr vesh në orët e para të mëngjesit të sotëm për policinë dhe gjyqësinë, anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme nuk kanë marr asnjë informacion lidhur me përafrimin e marrëveshjes. Fatmir Xhelili, nga PDK-ja tha se nuk është informuar ende rreth detajeve të takimit të mbrëmshëm Thaçi- Daçiq. Duke folur për zyrtarët serbë të cilët do të inkuadrohen në Policinë e Kosovës, tha se numri i tyre do të jetë në proporcion me nevojat në veri të vendit.

“Indikatorët të cilët i ka përdorë Policia jonë, janë indikatorë të cilët i përdorin të gjitha shtetet evropiane që bazohen në numër të banorëve, në kilometer katrorë dhe në vijën kufitare varësisht sa e ka. Ne besoj se do të kyçim një numër të atyre ish pjesëtarëve, pasi që të bëjnë kërkesat për tu kyçur në Policinë e Kosovës dhe të kalojnë edukimin”, tha Xhelili, transmeton RTK.

Xhelili tha se asnjëherë Serbia nuk ka pasur numër të konsiderueshëm të zyrtarëve që kanë punuar në veri. Mirëpo ai ka bërë përgjegjës EULEX-in i cili nuk ka treguar gatishmëri për të menaxhuar situatën e sigurisë atje.

Nga ana tjetër, Rexhep Selimi nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme nga Vetëvendosja tha se Qeveria në këto bisedime nuk është transparente dhe se Kuvendin e përdorë vetëm për miratim të marrëveshjeve dhe jo edhe për të diskutuar. Inkuadrimin e pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës e konsideron të rrezikshëm për sigurinë e vendit.

“Edhe në kuadër të marrëveshjes parashihet që edhe përbërja etnike e Policisë së Kosovës për atë pjesë parashihet, parashihet edhe komandanti për atë pjesë edhe parashihet edhe përkatësia etnike e komandantit. Pra, ndërhyhet drejtpërdrejtë, jo thjeshtë në sigurinë sepse deri më tani ata kanë ndërhyrë në siguri, por tash ndërhyhet edhe në strategjinë për ta shkatërruar sigurinë e këtij vendi” , tha Selimi.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, ka thënë se krahas procesit të rekrutimit të ish zyrtarëve serbë duhet të ketë edhe një proces tjetër, që të ndërmerren masa ndaj atyre që kanë shkelur rendin kushtetues. Isufi ka pohuar se ka informacione se procesi i mbrëmshëm i bisedimeve nuk ka qenë i lehtë pasi që Serbia ka tentuar të devijojë atë për çfarë janë marrë vesh më parë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›