Alarm fals, Cana e Lala luajnë kundër Bosnjës
Sajti zyrtar i UEFA-s ka shuar çdo panik. Kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, dhe lojtari tjetër i rëndësishëm i skuadrës kuqezi, Lorik Cana, do të jenë në fushë në ndeshjen e ardhshme kundër Bosnje-Hercegovinës. Dy futbollistët u ndëshkuan me të verdhë në sfidën e fundit kundër Bjellorusisë, ndërsa si pasojë e gabimit në përllogaritjen e numrit të kartonëve u fol se lojtarët do të ishin të pezulluar për transfertën e rëndësishme në grupin D të Euro 2012 në Bosnjë. Frika lindi menjëherë pas vërshëllimës së suedezit që vulosi fitoren e rëndësishme kuqezi. Por konfirmimi vjen nga UEFA, e cila në adresën e saj zyrtare në internet precizon se futbollistët shqiptarë kanë vetëm një karton të verdhë dhe do të mund të luajnë në ndeshjen e ardhshme të fushatës eliminatore. Lajm i mirë për trajnerin e kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Prania e kapitenit Lala dhe mbrojtësit Cana ruan optimizmin për një rezultat pozitiv në transfertën e rëndësishme të skuadrës kuqezi. Informacioni në fjalë ishte lehtësisht i verifikueshëm, pasi në profilet e dy lojtarëve tanë figuronin vetëm nga një ndëshkim me kartonin e verdhë, pikërisht të marrë në përballjen e së shtunës. Lala ka zhvilluar vetëm një ndeshje zyrtare në këtë edicion, ndaj nuk kishte sesi ta kishte marrë një karton të dytë të verdhë, ndërsa Cana nuk ishte ndëshkuar në asnjë prej 4 sfidave të tjera të mëparshme, ndryshe nga disa lojtarë të tjerë, si për shembull Vangjeli, që ishte ndëshkuar me karton të verdhë në sfidën kundër Rumanisë. Megjithatë, duhet pritur edhe konfirmimi zyrtar që UEFA do të bëjë në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Shqipëria mundi1-0 Bjellorusinë, duke u ngjitur në kuotën e tetë pikëve në grupin D. Pozicioni i tanishëm në eliminatoret e Euro 2012 ka shtuar entuziazmin e përfaqësues shqiptare për të mbyllur në mënyrën më të mirë eliminatoret e Euro 2012, ku një pengesë e vështirë dhe e rëndësishme është ndeshja e ardhshme në Sarajevë. Por, pa mungesa në radhët e futbollistëve titullarë, kuotat e kombëtares së Shqipërisë për të marrë rezultat kundër Bosnjës janë më të mëdha. Dhe, mbi të gjitha, me dy rikthime të forta: Debatik Currin dhe Armend Dallkun. I pari duket se ka lënë pas shpine dëmtimin e rëndë që pësoi në fillim të kampionatit në Turqi, ndërsa i dyti e ka kaluar skualifikimin pikërisht në sfidën ndaj bjellorusëve dhe do të jetë i gatshëm të rimarrë vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Cana drejt Juventusit ose Lacios për 8 mln euro
Lorik Cana është shndërruar në një objektiv për Juventusin dhe Lacion, bëri të ditur sot një faqe franceze e specializuar për dhënien e lajmeve mbi merkaton, “Footmercato.net”. Megjithatë, ekziston një mundësi që të rikthehet edhe në Premier League, ku Aston Vila, Bolton, Fulham dhe mbase Totenham janë të gatshëm t’i paraqesin një ofertë. Përsa i përket pistës italiane, Lacio e sheh zëvendëskapitenin e kombëtares sonë si përforcimin perfekt për qendrën e mesfushës, por në fazë studimi është edhe Juventusi. Gjigantët turq besohet se janë të gatshëm të negociojnë për kartonin e Canës mbi bazën e 8 milionë eurove.
Sot
Grupi A
Turqi – Austri 19:30
Belgjikë – Azerbajxhan 20:45
Grupi C
Estoni – Serbi 20:30
Irlandë V – Slloveni 20:45
Grupi D
Rumani – Luksemburg 19:45
Grupi E
Suedi – Moldavi 19:00
Holandë – Hungari 20:30
Grupi F
Izrael – Gjeorgji 18:05
Grupi I
Çeki – Lihtenshtejn 17:30
Lituani – Spanjë 20:45