Austri-Gjermani: Lavde për Salihin e Lalën
Mediat e dy vendeve janë treguar vërtet dashamirëse me lojtarët që militojnë te Rapidi i Vjenës dhe Hanover 96
Portali sportiv austriak sportnet.at. përkëdhel Hamdi Salihin. “Sulmuesi i Rapid Vjenës me golin e tij në fitoren 1-0 kundër Bjellorusisë, jo vetëm që ushqeu shpresat e Shqipërisë për kualifikim në Kampionatin Europian, por e bëri atë heroin popullor numër 1 të vendit me 2 milionë banorë”, - shkruante sportnet.at, që më pas bën një koment të shkurtër edhe të situatës në reality show Big Brother, ku Salihi e Bulku u ftuan menjëherë pas ndeshjes. “Të shtunën ai duhet të kalonte nga intervista në intervistë dhe kulmi, Salihi u ftua si miku surprizë në show më të dashur televiziv në Shqipëri, "Big Brother Albania". Hamdiu, tashmë i rikthyer në Vjenë për stërvitjen me Rapidin, duke folur për pjesëmarrjen e tij surprizë në “Big Brother Albania” tregon: “Pata shumë emocione. Kishte kamera kudo, kisha një ndjenje komike. I gjithë vendi po kalonte në eufori pas fitores sonë. Unë isha i ftuar së bashku edhe me Ervin Bulkun (mesfushorin që luan me Hajdukun e Splitit) në rolin e mikut surprizë në show!”. Në Shqipëri paraqitja e Salihit u prit shumë mirë nga publiku. “Kjo nuk kishte të bënte vetëm me golin tim. Në Shqipëri jetojnë shumë tifozë të Rapidit, të cilët informohen çdo ditë. Atje mund të thotë thuajse çdo kush në cilin vend aktualisht ndodhet në renditje Rapidi”.
Lala rikthehet si hero
Gazeta gjermane “Schaumburger Nachrichten” shkruan se Altin Lala po kthehet krenar dhe me gjoksin ngritur në Hanover, pas fitores së Shqipërisë me Bjellorusinë (1-0) për kualifikueset e Euro 2012. “Altin Lala, kapiteni i Shqipërisë, udhëhoqi ekipin e tij në Tiranë në fitoren 1-0 kundër Bjellorusisë. Vëzhguesit folën për një “paraqitje bindëse” të mesfushorit, i cili u ndëshkua me karton të verdhë (në minutën e 18-të) e që luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që te klubi i tij në Bundesligë 35-vjeçari ka luajtur shumë pak. "Shqiptarët me ‘Dreier’ (trepikëshin) kundër Bjellorusisë tani janë në vendin e dytë, çka i lejon Lalës të rikthehet në Hanover me gjoksin lart”, shkruan gazeta gjermane.