E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm (jo)vetëm për Prishtinën

Sado që prishtinasit lëvdohen ditë e natë se Prishtina ka pjesën e vjetër të saj, ajo tashëm është zhdukur tërësisht. Për pak kohë edhe ato objekte të vjetra që janë mund t’i kujtoni vetën në fotografi.
Në vend të objekteve të vjetra historike ato po zëvendësohen me godina pa leje.

Në një hulumtim të bërë nga organizata suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufi - Cultural Heritage Without Borders (CHWB)”, del se 44 për qind të objekteve të vjetra të identifikuara nga Instituti për mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, janë zhdukur tërësisht.

“Prishtina është një shembull që nga viti 2002 deri në vitin 2007, 44 % të ndërtesave që janë identifikuar si të vjetra janë shkatërruar. Tash jemi në vitin 2007 e paramendoni çka ka ndodh pas sot jemi në vitin 2010”, thotë Sali Shoshi, drejtues i CHWB –së për Kosovë.

Sipas, Shoshit këto shënime janë bërë me hulumtimeve në terren.

Në anën tjetër Haxhi Mehmetaj, drejtues i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, i cili thotë se kjo shifër nuk është e tillë, por i ofrohet asaj.

“Ai kalkulim i tyre nuk është i saktë. Është e vërtet se janë shkatërruar një pjesë e madhe. Jo nuk është 44 % është pak më pak”, tha Mehmetaj.
Mirëpo Mehmetaj thotë se gjatë evidentimit është një problem.

“Faza e parë është evidentimi dhe asnjë prej këtyre objekteve nuk kanë qenë të shpallura. Janë kriteret dhe shpallet një komision dhe ato shpallen apo nuk shpallen si objekte të mbrojtura” tha Mehmetaj. Atëherë derisa është shpall apo nuk është shpall ato janë prish?

“Është e vërtet po. Jo 44 % por një përqindje më e vogël”, tha Mehmetaj.

Ndërsa së fundmi kjo organizatë ka bërë njërën prej gjërave që se ka bërë në 10 vitet e fundit asnjë nga institucionet e kulturës.

CHWB dëshiron ta blejë një shtëpi të vjetër e që më pastaj do të ruhej si trashëgimi kulturore.

“Për shumë arsye sepse së pari po dom të restaurojmë një objekt ma tepër sesa janë në fondet e restaurimit. Nën dy një objekt privat të shndërrohet në një objekt ku është i hapur dhe ku do të ketë një qasje publike si një objekt kulturorë. Ndërsa po dojmë edhe të kursejmë në mënyrë që aktivitet tona të mbahen në shtëpi”, thotë Sali Shoshi. Për shuarjen e shumë objekteve që do të mund të hynin në listën e objekteve si trashëgimi kulturore, Shoshi thotë se mban përgjegjësi si Komuna e Prishtinës si dhe Ministria e Kulturës.

“Ministria e Kulturës ishte dashur ta dijë se çka po ndodh me objektet e listuara ose të identifikuara nga ta. Dhe pastaj ajo ta dërgojë një informatë në KK Prishtinë që këto objekte duhet ta kenë një trajtim special dhe duhet të mbrohen ndërsa komuna ka rrolin e operativës”, tha Shoshi.

Në anën tjetër ai thotë se KK Prishtina, nuk ka bërë ndonjë plan sesi pjesa e vjetër e Prishtinës do duhej të zhvillohej.
“Realisht nuk ka përgjegjësi”, tha ai.

Ndërsa rreth blerjeve të mundshme të objekteve të vjetra nga Ministria e Kulturës, Shoshi thotë se ky institucion tash për tash nuk ka mjete mirëpo mund të bëj dicka tjetër po ashtu të rëndësishme.

“Çka kishte mundur MK është që ti shpëtojë me një fond të vogël, si në kulme apo mure e jo të shkojë në projekte të mëdha 200 apo 300 mijë euro e ndoshta ka shtëpi që për 2 mijë euro të restaurohet. Duhet të ketë një distribuim të mjeteve duke iu përshtatur nevojave në terren”, tha Shoshi. Në anën tjetër Haxhi Mehmetaj thotë se megjithatë duhet të ketë një evidentim të objekteve të vjetra derisa merr shembullin e qytetit të Varshavës i cili pas bombardimeve iu është kthyer pamja e vjetër si dhe Çarshia e Vjetër e Gjakovës.

“Çdo herë kur ka gatishmëri ato mund të kthehen por të pritet të kthehet lagjja “4 Llullat”, kur aty janë bërë ndërtime aq të mëdha, pa leje dhe se ku i kanë marr leje edhe pse ka qenë një lagje e mbrojtur do të ishte iluzion”, tha Mehmetaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›