E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në Athinë, edhe tre prostituta të tjera me AIDS

ATHINE - Tre prostituta të tjera u gjetën pozitive me virusin HIV në Athinë, gjatë analizave të kryera nga njësitë e Qendrës së Qendrës së Parandalimit të Sëmundjeve. Shkon kështu në 4, numri i prostitutave të infektuara me virusin vdekjeprurës, pas diagnostikimit dhe arrestimit të një 22 vjeçareje ruse, e cila ushtronte profesionin në një shtëpi publike ilegale të Athinës pa mjete mbrojtëse, edhe pse ishte në dijeni të sëmundjes së saj. 

Sipas deklaratës së lëshuar sot pasdite nga Qendra e Parandalimit të Sëmundjeve, KEELPNO, tre prostituta të tjera, dy greke dhe një bullgare, rezultuan pozitive në testin për virusin HIV, ndërkohë që Qendra po vazhdon testimin e gjithë grave, që kanë punuar në shtëpitë publike ilegale të Athinës apo në mjedise të hapura. 

Disa ditë më parë 22 vjeçarja ruse Tatiana Bukhtoyarova, ishte e para që u diagnostikua me AIDS dhe sot u dërgua në burgun e Koridhalos, e akuzuar për dëmtim trupor të personit, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale pa mjete mbrojtëse, duke qenë në dijeni të sëmundjes së saj. Sipas të dhënave zyrtare, ka qenë rreth 700, numri i personave, që kanë patur kontakt të pambrojtur me të, nga të cilët 70 janë kontrolluar dhe 3 prej tyre kanë rezultuar të infektuar. 

Policia greke publikoi fotot e 22 vjeçares dhe do publikojë edhe fotot e prostitutave të tjera me AIDS, me qëllim që të ndihmojë të gjithë personat që kanë frekuentuar shtëpitë publike, t’i identifikojnë dhe nëse kanë qenë klientë të tyre, t’i drejtohen urgjentisht mjekut për teste dhe analiza.

Sipas njoftimit të Qendrës, shtëpitë publike ku kanë punuar këto vajza vepronin në mënyrë të paligjshme dhe pa libreza shëndetësopre për punonjëset. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, KEELPNO, ka vënë në dispozicion disa numra telefoni për gjithë frekuentuesit e shtëpive publike apo ambienteve të hapura, për të kontaktuar me qëllim që të kontrollohen, në përpjekje për të kufizuar sa të jetë e mundur, katastrofën. 

Me urdhër të ministrisë së Shendetësisë, në qendër të kryeqytetit grek po kryhen dhe do të vazhdojnë të ushtrohen kontrolle shëndetësore nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (KEELPNO). Pak kohë më parë, ministri grek i Shëndetësisë dhe ai për Mbrojtjen e Qytetarit, deklaruan se në Greqi janë rritur në shkallë shqetësuese rastet me SIDA, janë regjistruar 613 shtëpi publike pa leje dhe për pasojë janë shtuar shumë sëmundjet ngjitëse.
Lidhje te tjera Athinë, prostituta ruse me AIDS, në rrezik gjithë klientët e saj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›