E Martë, 3 Nëntor 2026

Alarm për sulme në Evropë – Rriten masat e sigurisë dhe kontrollet në Gjermani, Austri dhe Spanjë

Një celulë xhihadiste thuhet se po planifikon sulme në Evropë në periudhën mes  Krishtlindjes dhe Vitit të Ri . Kështu shkruan gazeta gjermane “Bild”. Terroristët synojnë të kryejnë sulme në Gjermani, Austri dhe Spanjë gjatë meshave të Krishtlindjeve ose më 31 dhjetor.

Sipas kësaj gazete, disa xhihadistë u arrestuan të shtunën në Vjenë dhe në Sarlend të Gjermanisë. Në Austri, autoritetet kanë ngritur nivelin e kërcënimit, duke forcuar masat e sigurisë në vendet e kultit, pasi mund të jenë objektivë të mundshëm sulmi. Autoritetet gjermane thanë se kanë marrë sinjale për një sulm të mundshëm në Katedralen e Këlnit.

Policia njoftoi se mbrëmjen e së shtunës, njësitë e qenve të zbulimit të eksplozivëve kontrolluan ambientet e katedrales së Këlnit pas të dhënave për një sulm të mundshëm, ndërsa në meshën e Krishtlindjes, të gjithë besimtarët do t’u nënshtrohen kontrolleve përpara se të hyjnë në kishë.

Autoritetet policore në Këln u kanë rekomanduar vizitorëve të shmangin mbajtjen e çantave ose mbërritjen shumë herët për meshën e mesnatës në këtë kishë. Ata theksuan se do të bëjnë gjithçka për të siguruar që njerëzit të mund të shkojnë të sigurt në kishë. Katedralja e Këlnit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, tërheq miliona vizitorë çdo vit.

Sipas gazetës gjermane” Bild” edhe autoritetet e sigurisë në Austri  kanë shtuar masat mbrojtëse në hapësirat publike dhe përreth zonave të kultit në Vjenë dhe shtetet federale për shkak të rritjes së nivelit të alarmit të terrorizmit gjatë festave të fundvitit. 

Sipas informacioneve të kësaj gazete Katedralja e Shën Stefanit në Vjenë thuhet se është më rrezikuar për sulme.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›