E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, 700 mijë të prekur nga hipertensioni

Shefi i Mjekësisë Interne, Tase, pohoi se hipertensioni është vrasësi i parë i popullatës. Ja shkaqet dhe pasojat

“Është vrasësi i parë, krahasuar me të gjitha llojet e sëmundjeve të tjera. Ka kosto të lartë mjekimi dhe, për fat të keq, pacientëve u mungojnë medikamentet. Bëhet fjalë për sëmundjen e hipertensionit, e cila paraqitet me shifra alarmante në vendin tonë”, - tha Shefi i Shërbimit të Mjekësisë Interne në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, i cili drejtoi dje konferencën për Hipertensionin. Ndërkohë, ai shpjegoi shkaqet dhe pasojat e sëmundjes.

Sëmundja

Hipertensioni arterial është vrasësi i parë, krahasuar kjo me të gjitha sëmundjet e tjera. Kështu u shpreh doktor, Mihal Tase, duke theksuar se shifra e të prekurve është tepër e lartë në vendin tonë, por nuk bëjnë përjashtim as vendet etjera të botës. “Në Shqipëri, shifra e të prekurve është tepër e lartë, rreth 700 mijë vetë. Pra, është mbi 25-30 % e popullsisë adulte, mbi 18 vjeç, që vuajnë nga hipertensioni”, - thekson ai, duke shtuar se kjo sëmundje, tashmë, mund të quhet edhe epidemia e shekullit. Sipas tij, pikërisht për arsyen që ka një kosto të madhe shëndetësore, por dhe kostot e mëdha që u shkakton të sëmurëve, mjekët janë të detyruar që ta njohin sa më mirë, për të pakësuar dhe frenuar këtë epidemi.

Shkaqet dhe pasojat

Sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, madje edhe fund fatal me vdekje. Këto janë disa nga pasojat që sjell hipertensioni ku, sipas doktorit, Mihal Tase, vijnë nga disa shkaktarë, duke filluar që nga stresi, e deri tek mënyra e ushqyerjes. “Niveli i lartë i presionit të gjakut në organizëm, mund të çojë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Mund të ketë dy lloje hipertensionesh, që varen nga faktorët shkaktues. Mund të jenë edhe shkak i ndonjë sëmundjeje tjetër, si ato të veshkave, të zemrës, mbipesha etj”, - pohon Tase, duke shtuar se pjesa tjetër shkaktohet si pasojë e çrregullimeve të ndryshme që krijohen në organizëm, të cilat çojnë në krijimin e vështirësive të qarkullimit të gjakut nëpër pjesë të ndryshme të trupit. Njëkohësisht, dëmtohet dhe funksioni i zemrës për pompimin e duhur të gjakut. Faktorët që çojnë në krijimin e sëmundjes së hipertensionit janë nga më të ndryshmit. Shfaqja e saj bëhet nga faktorë shumë dimensionalë, të cilët ndikojnë në rëndimin e sëmundjes dhe në faza të mëvonshme. Kështu, njihen si shkaktarë të hipertensionit, faktorë të tillë si, stresi, mbilodhja, mungesa e aktiviteteve fizike. Që të tërë këta elementë japin efektet e tyre negative në shëndetin e pacientëve. Ndërkohë që, dhe mënyra e të ushqyerit, luan një rol vendimtar në shfaqjen e hipertensionit. Marrja e ushqimeve të shumta, sipas mjekëve, gjatë ditës që kanë përmbajtje të lartë yndyrash, kripërash dhe elementë që me vështirësi shpërbëhen nga organizmi, atëherë është e sigurt që mund të çojnë në krijimin e kësaj sëmundjeje. Gjithashtu, obeziteti e diabeti, janë faktorë që çojnë në lindjen e hipertensionit dhe të pasojave fatale që ajo mund të mbartë në shëndetin e pacientëve. Predispozues të tjerë janë dhe konsumimi i alkoolit e duhanit dhe të bërit e një jetë sedentare. Që të gjithë këta faktorë, janë të lidhur me njëri tjetrin në mënyrë të pashmangshme dhe prishja e një ekuilibri mund të çojë në shfaqjen e sëmundjes.

Godo: Kërkohet një diagnostikim unik për hipertensionin

Duhet të ketë një qëndrim unik diagnostik dhe terapeutik për çdo problem, me të cilin të përballet patologjia e hipertensionit. Kështu u shpreh dje ministrja e Shëndetësisë, gjatë punimeve të Kursit të Dytë Master për Hipertensionin. “Në çastin që këto protokolle diagnostike-terapeutike jepen të shkruara nga Qendra Spitalore Universitare, apo nga Shoqata e Hipertensionit dhe Kardiologjisë, atëherë këto bëhen të detyrueshme në rang kombëtar për çdo mjek, i cili do të trajtojë një pacient me probleme të hipertensionit dhe kardiologjisë", - pohon Anila Godo, duke shtuar se çështja e hipertensionit në këtë kurs, shihet në shumë drejtime, në të gjitha ato probleme, me të cilat haset një mjek, i cili do të menaxhojë një pacient hipertensiv. Ndërkohë, ajo ritheksoi se duhet të arrijnë që çdo shërbim, në të gjithë vendin, të jepet me të njëjtën cilësi dhe të tentojnë në atë që quhet standardizim i shërbimeve në rangje rajonale. "Çdo shërbimi, çdo diagnoze, duhet t’i vihet përbri një çmim, në mënyrë që të përgatitet shitja e tyre, fillimisht tek Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, më pas çdo instituti sigurimesh, apo strukture tjetër, që do të dojë të jetë blerës", - pohon Godo. Ndërsa doktor Mihal Tase, theksoi se mjekimi i hipertensionit është detyrë e mjekut të përgjithshëm, të cilët, janë të kualifikuar përkëtë, ndonëse kualifikimi është një problem i përhershëm.

Simptomat

Dhimbje të forta koke

Gjendje të fikëti

Marrje mendsh

Gjakderdhje nga hundët

Skuqje fytyre

Luhatje të humorit

Zhurmë në vesh

Shkaktarët

Stresi, alkooli dhe duhani

Shfaqja e mbipeshës

Sëmundja e diabetit

Faktorët gjenetikë

Regjimi jo i rregullt ushqimor

Mbilodhja e krijuar gjatë ditës

Mos bërja e aktiviteteve fizike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›