Kalendari, spiunët kalojnë vitin tjetër
TIRANË- Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, që sot militojnë në administratën e lartë publike, do të vijojnë të mbajnë vendet e tyre të punës. Kjo, të paktën edhe për disa muaj, pasi draftet ligjore “Për pastërtitë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”, që prej më shumë se dy vjetësh gjenden në Kuvend, nuk pritet të miratohet para fillimit të sesionit të ri parlamentar, që nis punimet në javën e tretë të janarit. Mungesa e konsensusit me opozitën për një sërë çështjesh që lidhen me këtë draft, duket se ka detyruar mazhorancën që të heqë dorë nga angazhimi për ta miratuar projektligjin, edhe në mënyrë të njëanshme.
Kalendari
Një konstatim i tillë nuk është thjesht një bindje që buron nga mungesa e vullnetit të palëve për ta kaluar atë, por mbështetet në kalendarin tre javor (24 nëntor-15 dhjetor) të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, i cili është miratuar dy ditë më parë në seancë plenare. Kalendari përcakton vetëm diskutimin e projektligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve” në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, por nuk parashikon përfshirjen e tij në rendin e punimeve të asnjë prej seancave plenare që pritet të zhvillohen gjatë kësaj periudhe. Arsyet e mospërfshirjes së këtij drafti në kalendarin e këtij tre javori, nuk bëhen të ditura, megjithëse përfaqësues të mazhorancës kanë konfirmuar se do të vijohet të tentohet gjetja e gjuhës së përbashkët edhe me forcat e majta. Por, mosmarrëveshjet për disa pika kyçe që përmban drafti i paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së, i cili është marrë dhe si drafti bazë, mbi të cilin do të punojë komisioni i ligjeve, duket se bën të pamundur që të gjendet konsensusi, as për dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit, periudhë të cilën, politikanët tanë tradicionalisht ia kushtojnë festave të fundvitit. Mospërfshirja e kësaj çështjeje në diskutimin dhe miratimin kuvendor as për këtë tre javor, përbën shtyrjen e pestë të kësaj çështjeje. Megjithëse miratimi i një ligji të tillë bëhet me një shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, mazhoranca e djathtë është e prirur për ta miratuar atë edhe me pëlqimin e opozitës, pasi në të kundërt, zbatimi i tij do të ishte pothuajse i pamundur edhe për shkak se implementimi i tij parashikohet të bëhet nëpërmjet një komisioni të pastërtisë së figurave, i cili duhet të jetë i balancuar politikisht.
Konsensusi
Tri janë çështjet që mbajnë peng gjetjen e konsensusit mes pozitës dhe opozitës. Kështu, një prej pikave ku dy palët në debat dallojnë në qëndrimet e tyre, ka të bëjë me kategoritë e personave që duhet të jenë objekt verifikimi të këtij ligji. Çështja e dytë lidhet me dilemën nëse duhet t’i nënshtrohen verifikimit ata persona që e kanë kaluar një herë këtë test nëpërmjet komisioneve të mëparshme, që kanë vepruar për këtë qëllim. Gjithashtu, të dyja palët ndajnë qëndrime të ndryshme, edhe për sa i përket çështjes së ndërprerjes së mandatit për të gjithë ata persona që do të rezultojnë se, funksioni që kanë kryer gjatë sistemit komunist, bie në kundërshtim me ligjin aktual.