E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, Hiv-Aids po godet edhe fëmijët

02/12/2011   Nga 24 fëmijët e infektuar, 3 zbulohen gjatë këtij viti, një humb jetën

Mosha më e preku nga virusi Hiv është ajo 25 deri në 45 vjeç

Shtimi i rasteve të prekura nga Hiv-Aids ka vënë në gjendje alarmi dikasteret shëndetësore, pasi sëmundja ka zgjeruar terren edhe në radhët e moshave të vogla. Të dhënat e raportuara nga dikasteret shëndetësore tregojnë se deri më sot rreth 24 fëmijë kanë rezultuar mbartës të këtij virusi, ku disa prej tyre edhe kanë humbur jetën. Krahasuar me vitet e shkuara, 2011 është viti ku ka pasur një rritje galopante të virusit HIV, kjo për shkak të pakujdesisë në marrëdhëniet seksuale, por edhe për shkak të mungesës së ekzaminimeve, që sjell lindjen e fëmijëve bartës të virusit që e trashëgojnë prej prindërve. Pavarësisht se numri i të infektuarve ka pësuar rritje, shërbimet dhe terapitë trajtuese mbeten ende në nivele të ulëta. Kjo veçanërisht për rrethet, ku evidentimi i sëmundjes mbetet në heshtje. Trajtimi i të sëmurëve me SIDA me antiretroviralë në Shqipëri kushton rreth 62.5 milionë lekë. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë shprehen se vetëm për një të sëmurë duhen 1.5 deri 5 milionë lekë në vit, në varësi të stadit të sëmundjes. Deri këtë vit, ky fond është përballuar me donacione nga UNFPA (Fondit për Zhvillimin e Popullsisë dhe Ministria e Shëndetësisë). Për vitin e ardhshëm është planifikuar të përballohet me fonde të buxhetit të shtetit. Shqipëria numëron zyrtarisht rreth 478 pacientë të infektuar, ku 65 prej tyre janë raste të reja që i përkasin vetëm këtij vitit, në 92 për qind të rasteve rruga e transmetimit është ajo seksuale, ndërsa mosha më e prekur është ajo 25 deri 45 vjeç, ku përfshihen 63 për qind e të infektuarve. Dje, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Sidës, janë zhvilluar aktivitete të shumta sensibilizuese mbi ndarjen e informacioneve dhe këshillave për të parandaluar përhapjen, veçanërisht te moshat e reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›