E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i UNDP’së

UNDP’ja ka bërë publike të dhëna shumë shqetësuese për situatën ekonomike në vend. Sipas anketimeve të kësaj organizate, punësimet në sektorin publik po bëhen përmes ryshfetit dhe lidhjeve familjare. Nga Albulena Maloku më 07 korrik 2011 në ora 08:19

Në Kosovë, ryshfeti dhe lidhjet familjare janë faktorët kryesorë që të sigurojnë një vend pune në sektorin publik. E, të gjithë ata që mendojnë se pas përfundimit të studimeve, do të punësohen në këtë sektor, do të zhgënjehen shumë. Sipas raportit për paralajmërim të hershëm të UNDP’së, thuhet se vetëm 15 për qind e kosovarëve besojnë se arsimi është i rëndësishëm kur kërkohet punësimi në sektorin publik.

Sipas të dhënave nga anketa Pulsi Publik i UNDP’së, thuhet se kosovarët identifikojnë papunësinë dhe varfërinë si problemet kryesore me të cilat përballet Kosova. Në bazë të kësaj, punësimi duket se është rrugë shumë e rëndësishme për kosovarët që të ecin përpara.

“Kjo anketë, sikurse edhe anketa e nëntorit 2010, vazhdon të na tregojë disa rezultate mjaft shqetësuese në kuptim të asaj se çfarë vlen më shumë kur kërkohet punësimi në sektorin publik”, thuhet në raport.

Në mesatare, 34 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm, i përcjellë nga 19 për qind e atyre që besojnë se ryshfeti është faktori kryesor për t’u punësuar në sektorin publik. E, vetëm 15 për qind e të intervistuarve besojnë se arsimi është i rëndësishëm kur kërkohet punësimi në këtë sektor, i përcjellë me 10 për qind të atyre që besojnë se anëtarësia partiake është më e rëndësishmja.

Qeveria e Kosovës është institucioni në të cilin shumë pak zbatohen politika të shëndosha të punësimit.

“Besohet se sektori privat me 21.5 për qind, i pasuar nga organizatat ndërkombëtare, 11 për qind dhe komunat, 11 për qind janë tri institucionet e para, të cilat bëjnë punësimin në mënyrë të drejtë. Vetëm rreth 5 për qind e të intervistuarve besojnë se Qeveria e Kosovës apo sektori publik, KEK’u, PTK’ja bëjnë punësimin në mënyrë të drejtë gjatë punësimit të punëtorëve të rinj”, thuhet në rezultatet e anketimit.

Të dhënat e anketës tregojnë se rreth 23 për qind e kosovarëve janë të papunë dhe kërkojnë punë, derisa rreth 9 për qind janë pa punë, si dhe nuk kërkojnë punë. Në anën tjetër, 17 për qind e të anketuarve kanë thënë që janë duke punuar në sektorin privat, derisa rreth 16 për qind kanë thënë që janë duke punuar në sektorin publik.

Sa i përket asaj se kush e mban përgjegjësinë kryesore për situatën ekonomike të Kosovës, rreth 67 për qind e të gjithë kosovarëve ia veshën këtë përgjegjësi Qeverisë së Kosovës. Jo më shumë se 12 për qind e të intervistuarve ia veshin këtë përgjegjësi komunitetit ndërkombëtar, EULEX’it, ICO’së dhe UNMIK’ut. E, kosovarët vazhdojnë të mbesin optimistë për situatën ekonomike në dy vitet e ardhshme.

Rreth 58 për qind e tyre presin që situata ekonomike të përmirësohet gjatë dy viteve të ardhshme. E, rreth 24 për qind besojnë se situata do të mbetet e pandryshuar gjatë dy viteve të ardhshme. Këto rezultate bazohen në anketën e opinionit me mostrën prej 1580 qytetarëve të Kosovës të moshës mbi 18 vjeç, nga të dyja gjinitë, të gjitha grup-moshat dhe nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, që mbulojnë viset rurale dhe urbane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›