Alarmi, masakër në parkun e Valbonës
TROPOJË- Parku kombëtar në Valbonë po shkatërrohet nga shfrytëzimidhe prerja pa kriter e masiveve pyjore me pishë të zezë, që po bëhet në emër të pronës private. Rreth 300 hektarë me pyje në fshatin Qerem janë dëmtuar si pasojë e prerjes së masiveve me pisha dhe bredha në bjeshkët e këtij fshati. Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Margegajve, Rexhë Biberaj. Ky i fundit ka informuar për këtë problem ministrin e Mjedisit, Lufter Xhuveli, ku ka kërkuar që të ndërhyhet për t’i dhënë fund kësaj masakre në pyje që sipas tij po realizohet në emër të pronës private. “Gjykata ka shpallur si pronar shtetasin Hysen Çela nga fshati Qerem për një sipërfaqe kullote dhe pyjesh dhe ky i fundit po e përdor pyllin si pronë private, ndërkohë që pyjet janë si pronë shtetërore apo komunale, ndërsa territori në fjalë është shpallur si park kombëtar”,-sqaron kryekomunari i Margegajve. Ndërtimi i rrugës së Qeremit ka stimuluar trafikantët e lëndës drusore që ta transportojnë atë drejt punishteve të Bajram Currit. Ndërkohë që policia e Tropojës ka kërkuar bashkëpunimin e Drejtorisë së Pyjeve për të parandaluar fenomenin e prerjes së pishave shumëshekullore në parkun kombëtar të Valbonës. Shefi i komisariatit të Policisë së Tropojës, Ali Allaraj, lidhur me këtë problem thotë se policia është e gatshme të ndërhyjë për bllokimin e lëndës drusore që vjen nga bjeshkët e Qeremit, por për këtë kërkohet një bashkëpunim me policinë pyjore. Rrethi i Tropojës ka në inventar rreth 44 mijë hektarë me pyje, ku më i rëndësishmi është masivi me pisha dhe bredhë në Luginën e Valbonës.