E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet privatizimi i OSSH, nuk ka blerës

Qeveria vendosi të shlyejë për herë të dytë afatin e dorëzimit të ofertave pasi kompanitë nuk nxituan për të kapur afatin fillestar Për herë të dytë, brenda një muaji, qeveria shtyu me dy javë afatin e dorëzimit të ofertave të privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ish-degën e shitjeve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Burime zyrtare bënë të ditur se afati i dorëzimit të ofertave u shty nga data 14 shtator në datë 29 shtator, kryesisht për shkak se kompanitë e interesuara “kërkuan më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur ofertën”. Katër kompanitë e interesuara kanë patur kohë që nga muaji qershor i këtij viti për t’u interesuar për gjendjen e kompanisë së re. Afati fillestar për përfundimin e tenderit, qe caktuar 1 Shtatori. Ndërkohë, shumë zyrtarë shprehen me mosbesim për suksesin e këtij privatizimi.

Të interesuarit

Katër kompanitë e interesuara janë: “Enel” nga Italia, “EVN” dhe “Energy Teiermark” nga Austria dhe “CEZ” nga Republika Çeke. Të gjitha këto kompani kanë investime të ngjashme në rajon. EVN ka blerë sistemin e shpërndarjes së Maqedonisë dhe një nga tre kompanitë e shpërndarjes së Bullgarisë. “Enel” është e pranishme në Rumani, ndërsa “CEZ” ka aktivitete prodhuese e tregtare në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. “EVN” ka fituar një tender për të ndërtuar një rrjet hidrocentralesh, ndërsa “ENEL” ka patur interesa të shumëfishta në KESH. Të gjitha kompanitë konsiderohen si jashtëzakonisht eksperte në fushën e energjisë elektrike. Megjithatë, duket se në rastin e Shqipërisë, po hezitojnë.

Privatizimi i OSSH është konsideruar nga qeveria si projekti më ambicioz i reformimit të ekonomisë. OSSH, do të jetë në të ardhmen kompania përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, me fuqi monopoliste dhe me çmime të mbikëqyrura. Ajo ka aktualisht rreth 1 milionë klientë. Blerësi i OSSH do të ketë kontroll të plotë mbi kompaninë. Me blerjen e 76% të aksioneve, pjesa e mbetur nën pronësi të shtetit prej 24% nuk do të luajë asnjë rol në menaxhimin e kompanisë. Çmimet e saj do të vijojnë të jenë të përcaktuara nga ERE, gjithsesi. Të ardhurat e saj bruto nga tarifat e shpërndarjes do të jenë minimalisht 80 milionë euro.

---------------------------------------------------

Shpërndarja, problemi i pazgjidhshëm

Sistemi i Shpërndarjes së energjisë elektrike duket se është në gjendje shumë më të keqe sesa sistemet e tilla në vende të tjera të Ballkanit. Sasia e energjisë së vjedhur është disa herë më e lartë sesa në Maqedoni e gjetkë dhe ndryshimi i kësaj situate kërkon investime shumë të mëdha, për shkak se ndërhyrjet e paligjshme në rrjet janë të panumërta.

Sipas një studimi të kryer nga konsulentët ndërkombëtarë në vitin 2001, Sistemi i Shpërndarjes ka një kosto margjinale, (për çdo kilovat shtesë të hedhur në rrjet) prej 4.1 lekësh për kWh, ose dy herë më shumë sesa tarifa ekzistuese e OSSH-së. Shpërndarja merr aktualisht 2 deri në 2.6 lek për kWh nga çmimi mesatar prej 8.1 lekës që paguajnë konsumatorët.

Kjo kosto nënkupton investimet që nevojiten për të zgjeruar rrjetin ekzistues të shpërndarjes dhe për të garantuar furnizim me energji elektrike të rregullt për konsumatorët ekzistues dhe ato të rinj. KESH, ka njohur një rritje të fortë prej mbi 10% të numrit të klientëve gjatë viteve të fundit, ndërkohë që kjo rritje e klientelës nuk është shoqëruar me investimet e nevojshme për të përballuar kërkesën e re. Investime të shumta janë të nevojshme në këtë sektor për të furnizuar zonat e reja urbane, zonat periferike të rrjetit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›