E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmët në heroinë prangosin amerikanët

Operacioni “Tifozët” ka vazhduar me arrestimin e Françesk Shkëmbit dhe Arif Kurtit, shqiptarë me shtetësi amerikane

Dy shqiptarët me shtetësi amerikane akuzohen si bashkëpunëtorë të tre maqedonasve të arrestuar

TIRANË- Gjurmët e gishtave në pakot me heroinë kanë çuar në pranga dy shqiptarë me nënshtetësi amerikane, të cilët akuzohet se janë bashkëpunëtorë të 3 maqedonasve të arrestuar gjatë operacionit “Tifozët”. 27-vjeçarit Francesk Shkëmbi, lindur në Shkodër e banues në Detroid të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 38-vjeçarit Arif Kurti, lindur në Bronks të Neë Yorkut dhe banues në Gjakovë, janë të prangosurit e këtij operacioni. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë dje se dy personat dyshohet se ishin anëtarë të një grupi kriminal, i cili merrej me trafikimin e heroinës nga Maqedonia për në Shqipëri dhe më pas në vendet e Evropës Perëndimore.

Hetimi

Të shtunën e javës së kaluar, drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar organizoi një operacion në kuadër të të cilit u arrestuan tre maqedonas, njëri prej të cilëve polic, pasi në makinën me të cilin ata po udhëtonin u gjetën më shumë se katër kilogramë heroinë. Ndërkohë, pas arrestimit të tre maqedonasve, policia nisi hetimet për të identifikuar të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të heroinës që niste në Maqedoni dhe përmes Shqipërisë përfundonte në vendet e Evropës Perëndimore. Kështu pas hetimeve, policia në bazë të gjurmëve të gishtërinjve që u gjetën në qesen me drogë e cila iu sekuestrua tre maqedonasve zbuloi dhe dy bashkëpunëtorët shqiptarë me shtetësi amerikane. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se Francesk Shkëmbi dhe Arif Kurti dyshohet të kenë kryer një pjesë të transportit të katër kilogram heroinave të cilën më pas e dorëzuan te tre maqedonasit. Ndaj dy shqiptarëve policia tha se posedon prova të mjaftueshme, të cilat i implikon ata në këtë rrjet të trafikimit të drogës. Ndërkohë që dy të arrestuarit përkohësisht po qëndronin në Shqipëri për t’u rikthyer më pas sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Operacioni

Sekuestrimi i më shumë se katër kilogram heroinë ka çuar në qeli pesë persona. Njëkohësisht me sekuestrimin e heroinës u arrestuan në Durrës tre maqedonasit Isein Nasufi, 41-vjeç, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase, Dritan Gjura, 33-vjeç, dhe Madrit Istrefi, 30-vjeç. Këta të fundit deklaruan në polici se ishin nisur drejt Tiranës për të ndjekur ndeshjen e futbollit Shqipëri-Suedi, por policia bëri të ditur se kishte prova të mjaftueshme që ata ishin anëtarë të një rrjeti të trafikut të heroinës. Hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e emrave të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të tre maqedonasve. Dy shqiptarët Francesk Shkëmbi dhe Arif Kurti dyshohet se janë pjesë e këtij rrjeti të trafikut të drogës që vinte nga Maqedonia. Ndërkohë që burime nga policia thanë se po punohet për të identifikuar të tjerë persona të implikuar në këtë grup trafikantësh.

I IMPLIKUARI

Ben Çami, ndërmjetësi mes rrjeteve të heroinës

TIRANË- Megjithëse kanë funksionuar në kohë të ndryshme, banda e Shijakut dhe rrjeti i maqedonasve kanë një pikë të përbashkët: të njohurin si Ben Çami. Burime nga policia bënë me dije se tre shtetasit nga Maqedonia që u kapën në autostradë kanë furnizuar me heroinë Lutfi Shabanin,i cili u arrestua rreth një muaj më parë me 15 kilogramë heroinë, të futur në Shqipëri nga Maqedonia. Emri i Ben Çamit ka dalë deri më sot i lidhur me tre rrjete te trafikut të heroinës: në organizatën “Identikit”, në bandën e Shijakut dhe i lidhur me grupin maqedonas, që u arrestua në vendin tonë. Aktualisht, i njohuri si Ben Çami ndodhet në pritje të gjykimit për trafikun e 15 kilogramëve heroinë, që tentoi ta realizonte vetëm pak kohë pas daljes nga burgu. Ndërkohë, ai do të gjykohet edhe për lidhjet me të arrestuarit e dy ditëve në Shijak, të cilët akuzohense kanë trafikuar 450 kg heroinë në drejtim të Italisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›