Zjarr me dashje në Zvërnec, digjen pemët dhe varrezat
VLORË- Një zjarr i vënë qëllimisht në zonën jugore të kodrave, pranë fshatit Zvërnec në Vlorë ka rrezikuar seriozisht banesat dhe krejt zonën. Zjarri ka nisur rreth orës14.00 të ditës së djeshme dhe mendohet të jetë vënë qëllimisht. Sipas dëshmive të disa banorëve për policinë, zjarri është vënë nga një i ri që udhëtonte me biçikletë, i cili ka djegur disa shkurre dhe ka vazhduar rrugën. Shumë shpejt, flakët e zjarrit janë përhapur në të gjithë zonën duke u favorizuar nga era. Flakët kanë marrë fillimisht kodrën e më tej ka shkrumbuar pemë frutore e ullinj, vreshat e gjithçka që gjente përpara. I favorizuar nga era e forte, zjarri është përhapur me shpejtësi duke djegur një pjesë të varrezave të fshatit Zvërnec. E ndërsa i afrohej antenave të televizioneve dhe banesave, kanë qenë banorë të fshatit që janë përpjekur ta lokalizojnë atë për të evituar përhapjen e flakëve në fshat. Edhe pse banorët dhe punëtorë të firmës së internetit që po instalonin fibrat optike në këtë zonë janë përpjekur të shuajnë zjarrin, ai ka shkrumbuar një sasi të konsiderueshme pemësh frutore si dhe një sasi fibrash optike. Zjarrfikësja e mbërritur në vendngjarje me pak vonesë, për shkak të rrugës së keqe ka lokalizuar zjarrin duke evituar që ai të përfshijë zonën e banuar dhe shtëpitë në Zvërnec. Sipas banorëve të zonës, zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa tashmë policia po punon për identifikimin e zjarrvënësit si dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga flakët, që për fat nuk kanë përfshirë pyllin e Sodës.