Alarmi nga moti, ngrihet Komiteti për Emergjencat

Ministri Nishani, dje në Komitetin Ndërminstror
Berisha: Të gjitha ministritë në gatishmëri. Nishani: Do jetë më keq.
Moti i keq detyron Kryeministrin Berisha të ngrejë Komitetin Ndërministror për përballimin e eme-rgjencës së krijuar si pasojë e situatës në zona të ndryshme të vendit nga reshje të dendura të dëborës. Sipas kreut të qeverisë, ky Komitet kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje të tij janë krerët e ministrive të tjera: asaj të Mbrojtjes, së Transportit, Bujqësisë dhe Ushqimit, Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, të cilët duhet të hartojnë planin e masave për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara nga bora. Komiteti duhet të ndjekë 24 orë në 24 situatën në zonat e izoluara nga bora. Vërtet në disa zona bora nuk arrin më shumë se një metër, por ka fshatra e lagje ku ajo arrin dy e më shumë metra. Të gjitha potencialet duhet të vihen në funksion të ndihmës ndaj tyre, në radhë të parë emergjencës shëndetësore, së dyti, furnizimeve të mundshme, duke qenë në kontakt me kryetarët e komunave, deklaroi Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Kreu i qeverisë është shprehur me nota optimiste në ditët në vazhdim. Dy ditët që vijnë, sipas parashikimeve të meteorologëve, pritet të jenë diçka më të qeta dhe të shfrytëzohen për ndërhyrje intensive në të gjitha akset kombëtare, sepse pas këtyre ditëve janë parashikuar sërish ditë të tëra me reshje dëbore në zonat e borës dhe shi në zona të tjera, deklaroi Kryeministri. Menjëherë ministri Nishani mblodhi tryezën e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, duke caktuar dhe detyrat përkatëse, pasi sipas tij situata në vend aktualisht paraqitet e vështirë dhe pritet të vështirësohet edhe më tej. Parashikimi i motit deri në datën 9 na bën me dije se moti do përkeqësohet dhe situata do bëhet edhe më e vështirë, theksoi ministri i Brendshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është caktuar të merret me shkëmbimin e informacionit me një sërë institucionesh lokale e qendrore. Policia Rrugore dhe njësitë e saj do të shtojnë masat e kontrollit, sidomos në zonat me rrezik të shtuar, të rritet gatishmëria e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në zonat e vështirësisë për nga lëvizshmëria apo komunikimi. Çdo ditë do ketë komunikatë për situatën. Drejtoria e Rezervave të përgatisë paketën ushqimore. Në gatishmëri të situatës edhe helikopterët për ndërhyrje nga ajri, ndërsa po përgatiten edhe rezervat ushqimore për tu shpërndarë, u shpreh Nishani. Ai tha se do të vihen në veprim 5 borëpastruese, ku 2 do të veprojnë në Rrugën e Kombit, 1 në aksin rrugor Qafë Thanë-Korçë-Kapshticë, si dhe në aksin jugor Gjirokastër-Kakavijë dhe një për akset rrugore Shkodër-Pukë-Qafë/Mali. Nishani deklaroi se po hidhen skorie dhe kripë me synim hapjen e akseve kryesore.
KUKES
Situata në 24 orët e fundit në rajonin e Kukësit ka qenë thuajse më e rënda jo vetëm në këtë dimër, por në 15 vitet e fundit. Era e fortë që ka fryrë duke trazuar dëborën, ka ribllokuar rrugët e çelura më parë dhe ka ulur temperaturat deri në -10 gradë. Situata e rëndë konfirmohet nga Shtabi i Emergjencave Civile në Tropojë. Shumica e komunave janë të izoluara dhe ka mbarim të rezervave ushqimorë në Lekbibaj, Tropojë të Vjetër dhe në Bytyç. Gjithashtu ortekët që bien në Degë, po sjellin problem në rrugë. Në fshatin Luzhë të komunës Llugaj janë shkatërruar plotësisht dy shtëpi banimi.
Bllokimet
KUKES Pesë furgonë me pasagjerë mbetën të bllokuar në zonën mes Kukësit dhe Peshkopisë. Në zonën e fshatit Ujmisht mjetet nuk kanë mundur të çajnë më tutje, për shkak të lartësisë së madhe të borës. Ndonëse kjo rrugë deklarohet prej ditësh e mbyllur, mjetet me pasagjerë kanë tentuar të kalojnë. Ata janë strehuar më pas në banesat e zonës, duke u ndihmuar me ushqime nga familjet që për vete kërkojnë ushqime, pasi rezervat po u mbarojnë. Dhe dy të rinj kanë kërkuar ndihmë se kanë ngelur në vendin e njohur si Qafa e Luzhës në Tropojë. Në këtë zonë mësohet se trashësia e dëborës është të paktën 1.5 metra.
Barinjtë
Shqetësimi i banorëve të shumë zonave të qarkut të Peshkopisë qëndron në faktin se nuk mund të komunikojnë me telefona për raste emergjencash. Për shkak të bllokimit të rrugës nuk mund të arrihet deri në stacionin e antenave për të bërë furnizimin me karburant. Mungesa e komunikimit ka sjellë dhe shqetësim për familjet e 5 barinjve në zonën e Mbasdejës, komuna Macukull në Dibër. Prej kohësh ata ndodheshin në mal për të ruajtur 300 krerë bagëti, por dy ditë më parë nuk ka asnjë lidhje telefonike. Familjarët kanë lajmëruar nënprefekten e Matit për të mundësuar hapjen e rrugës deri në stanet e tyre.
Korçë
Prej së hënës, 267 shkolla në qarkun e Korçës janë të mbyllura. Rikthimi i të ftohtit siberian në qarkun juglindor të vendit ka bërë që të mbyllen dyert e të gjitha shkollave për shkak të problematikës së shumtë që ka sjellë si në qytete, por edhe në zonat e thella malore. Drejtoria Rajonale Arsimore, nisur jo vetëm nga kushtet e papërshtatshme përballë të cilave janë vendosur nxënësit dhe mësuesit e tyre për zhvillimin e orëve mësimore, por edhe për sa u takon vështirësive të transportit të nxënësve, ka vendosur mbylljen e të gjitha shkollave deri në fundjavë. Në disa zona bora ka arritur trashësinë 1.5 metra, duke i izoluar totalisht banorët.
Kreu i komunës: Problem të sëmurët, banorët po hanë misër
Bora 2 metra në komunën Shalë, i vdekuri 3 ditë pa varrosur
SHKODER – Vazhdimi i reshjeve të dëborës, temperaturat e ulëta, si dhe erërat e forta kanë shtuar akoma më shumë problemet në zonat e thella të qarkut të Shkodrës. Situata për banorët është vështirësuar ndjeshëm, pasi mjaft zona ndodhen të izoluara. Të vdekurit po mbeten pa varrosur pasi dëbora ka arritur në 2 metra, ndërsa problematike mbetet situata edhe për sa u përket të sëmurëve, si dhe furnizimeve me ushqim. Shtabi i Emergjencave po e ndjek nga afër situatën dhe po mundohet me të gjitha mënyrat që të ndërhyjë atje ku shihet e nevojshme, u shpreh prefektja e këtij qarku, Voltana Ademi. Ndërkohë, kreu i komunës Shalë, Balë Vuksani, u shpreh se banorët po përballen me kushte mjaft të vështira për shkak të motit. Banorëve të kësaj komune prej katër ditësh u mungojnë ushqimet. Ata kanë filluar të hanë misër të zier. Lëvizja e tyre është e pamundur, pasi lartësia e dëborës i kalon 2 metra. Po kështu, edhe komunikimi me pjesën tjetër të komunës është tejet i vështirë, pasi nuk ka valë telefonie në zonë, energjia elektrike ka probleme. Kemi dy ditë një të vdekur (sot dita e tretë) në këtë komunë, por nuk kemi me se ta transportojmë për ta varrosur në zonën e Shkodrës. Mjetet e transportit nuk mund të lëvizin, helikopterët nuk mund të ulen, madje na kanë pohuar se nuk janë për të transportuar të vdekurit, por për tu ardhur në ndihmë banorëve në zona. Aktualisht kemi edhe tre persona të tjerë, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, u shpreh kryekomunari Vuksani. Sipas tij, Këshilli i Komunës Shalë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. E lejon apo nuk e lejon ligji që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ky vendim tashmë është marrë nga Këshilli. Situata po përkeqësohet nga dita në ditë, ndaj banorët bëjnë thirrje që të merren masa sa më shpejt. Në lidhje me pretendimet e kryetarit të komunës së Shalës, Balë Vuksani, prefektja e Shkodrës Voltana Ademi dhe kryetari