Banorët nxirren nga banesat, policia private i qëllon me armë
Tension disa orësh në Tiranë, disa të plagosur dhe të shoqëruar në komisariat
Silvana Muça
Një polic privat ka rrezikuar jetën e disa banorëve, në tentativë për ti nxjerrë nga banesat. Ai ka nxjerrë armën e punës dhe, megjithëse ishte ambient i mbyllur, ka qëlluar tri herë, duke shkaktuar panik. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën Margarita Tutulani në Tiranë, ku përmbaruesit privatë do të nxirrnin nga banesat 14 familje. Ata kishin kërkuar ndihmën e një shoqërie të ruajtjes fizike private, ndërsa më pas janë mbështetur edhe nga forcat e rendit. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria private është në pronësi të disa familjarëve të një zyrtari të policisë. Pas konfliktit të ashpër, në vendin e ngjarjes kanë shkuar disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët janë përplasur verbalisht me nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Burimet policore thanë se një person është shoqëruar, me akuzën e kundërshtimit të përmbarimit. Ai është Igli Lulja. Ndërkohë, sipas banorëve, Genci Lulja ka marrë një plagë në pjesën e kokës dhe familjarët thonë se ai është qëlluar me qytën e pistoletës nga përmbaruesit. Si pasojë e terrorit të ushtruar nga përmbaruesit, 72-vjeçares Zeqine Meçanit i ka rënë të fikët. Tensioni mes banorëve dhe përmbarueseve ka zgjatur për orë të tëra. Një pjesë e tyre janë ngujuar në banesa, duke kërcënuar se vetëm të vdekur do të dalin prej andej. Familjet që janë nxjerrë forcërisht nga godina, thonë së pretenduesi i godinës prej 1100 metra katrorë, ka falsifikuar dokumentet, duke përfituar nga pushteti dhe korrupsioni. Pronari dhe 14 familjet ndodhen në një proces gjyqësor që ende nuk ka përfunduar.
Pretendimet e banorëve
Banorët tregojnë se e gjithë historia e tyre ka nisur që në vitin 1993, ku çështja e pronësisë është hedhur në gjyq dhe ende nuk ka përfunduar. Ardian Pojani ka treguar për gazetën Shqip të gjithë zanafillën e konfliktit mes 14 familjeve dhe pretenduesit të pronës, Ferdinand Caka, duke e akuzuar këtë të fundit për falsifikim të dokumenteve. Godina është ndërtuar që në vitin 1941, nga Lazaros Palazani, ish-komandant i aviacionit në atë kohë, për punonjësit e tij. Palazani e kishte marrë pronën me koncesion. Pas ikjes së tij, ne u strehuam dhe gjatë gjithë jetës kemi paguar qiranë në shtet. Në vitin 1993 tentuam që të legalizojmë banesat tona, por nuk na lejoi Caka, i cili kërkoi që të merrte të gjithë objektin. Personi për të cilin po flasim ka qenë punonjës në Gjykatën e Lartë. Kjo e ka lejuar që ai të bëjë të gjitha procedurat ligjore pa na njoftuar neve, pa na sjellë një vendim gjykate dhe pa asgjë, për të na zhvatur pronën. Ndërsa ne pretendojmë të gjitha dokumentet nga institucionet përkatëse, si nga arshiva e shtetit, si hipoteka, si dhe nga Komisioni i Kthimit të Kompensimit të Pronave. Në dosjen e Komisionit të Kthimit të Kompensimit të Pronave, ka rreth 20 pika përkatëse, që duhet të plotësojë një person për marrjen e pronës. Ferdinand Caka plotëson vetëm 2, ku njëri prej tyre është vërtetimi i pronësisë për një sipërfaqe, prej 90 m katrorë. Ndërsa neve nuk na jepet e drejta që ta privatizojmë, pavarësisht se e kishim këtë të drejtë sipas ligjit të vitit 1993. Pretenduesi nuk na la, na ka bllokuar me procese ligjore, të gjitha mundësitë për të privatizuar këtë godinë, shprehet Pojani. Sipas familjeve, ka rreth 21 vjet që kjo çështje rri e bllokuar, prej suportit dhe korrupsionit që ka bërë Ferdinand Caka. Ata e akuzojnë pretenduesin publikisht. Ferdinand Caka ka punuar në Gjykatë të Lartë dhe sot është avokat privat. Sot vjen edhe si avokat edhe si hamall, që bën nxjerrjen e plaçkave të banorëve të godinës. Jemi gjithë këto familje që jetojmë këtu, ndërsa zotëria pretendon se e ka të gjithë pronësinë. Përmbaruesit kanë ushtruar dhunë mbi banorët dhe finalja ka qenë deri në përdorimin e armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë private. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në një publik të madh, duke shkaktuar panik. Si pasojë e kësaj ne u kundërpërgjigjëm, duke menduar se tani po lëmë kokën dhe nuk e menduan dy herë përleshjen mes tyre. Është qëlluar 3 herë në ajër për të na terrorizuar. Ka një afat kohor për daljen nga godina. Jo më larg se me datë 7 maj kemi procesin gjyqësor. I kemi kërkuar afat kohor. Njëkohësisht çështja është edhe në Gjykatën e Lartë, në Dhomën e Këshillimit, për rishqyrtim të vendimit. Banesat po lirohen me dhunë pa dëshirën tonë. Një pjesë e tyre kanë kundërshtuar të dalin, duke u ngujuar në banesa për gjatë gjithë ditës. Janë shprehur se vetëm të vdekur do të dalin, tregojnë nën një zë banorët. Gjithashtu ata thonë se përmbaruesit kanë shkaktuar terror në apartamentet e tyre. Me leva dhe