E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, rriten ndjeshëm numri i fëmijëve të prekur nga HIV

Sot, Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër HIV/AIDS-it. Në 15 vite, në Shqipëri kanë humbur jetën nga SIDA, 55 persona

Raporti, 4 përqind e të prekurve me HIV janë fëmijë femra, ndërsa 29 përqind fëmijë

Me të drejtë, agjencitë më të mëdha botërore, por edhe ato më të parëndësishme, e vendosën në kokat e lajmeve. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për herë të parë, të rreshtuar në krah të njëri-tjetrit, tre mjekë gjermanë në spitalin Çarite Berlin, dhanë një lajm sa sensacional, aq edhe të pabesueshëm. Jo më larg se dy javë më parë, të rreshtuar krah për krah, ata pretenduan se kishin arritur të eliminonim virusin AIDS, vetëm 20 muaj pasi kishin ndërhyrë për të kryer transplantin e palcës kurrizore në trupin e një pacienti amerikan 42-vjeçar, i cili vuante nga leucemia, por njëkohësisht ishte i prekur edhe nga sëmundja e pashërueshme. Ky lajm, padyshim që shokoi të gjithë njerëzimin, por padyshim ndezi dritën e shpresës për miliona e miliona individë në mbarë globin, që vuajnë nga sëmundja, e cilësuar e shekullit. Me gjithë rezervimin e mjekëve të tjerë dhe kërkuesve shkencorë, të cilët stepen të japin konkluzione të parakohshme, rasti i pacientit amerikan, është kthyer në një shtysë të madhe për të rritur kërkimet në fushën e terapisë gjenetike, në luftë kundër sëmundjes që, deri më tani, mendohet se ka infektuar jo pak, por 33 milionë njerëz anembanë globit. Në këtë shifër, padyshim nuk kanë si të anashkalohen edhe individët shqiptarë të prekur nga virusi i tmerrshëm. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër HIV/AIDS-it, buletini i Institutit të Shëndetit Publik, raporton se nga viti 2007 e deri në muajt e fundit, janë diagnostifikuar 255 raste të reja me HIV/AIDS. Megjithëse në raport thuhet se Shqipëria njihet si një vend me prevalencë të ulët, në bazë të numrit të diagnostifikimeve dhe rasteve të shënuara, sërish i njëjti buletin konstaton, me jo pak pezmatim se, tendenca e infeksionit HIV, po njeh rritje nga viti në vit. Por, e keqja nuk përfundon këtu. Mentaliteti, shpeshherë vrasës që shoqëron sëmundjen e HIV/AIDS-it në vendin tonë, çon deri aty sa shumë individë të prekur nga infeksioni, të mos u drejtohen shërbimeve spitalore. Kjo vihet re edhe në raport, ku thuhet se statistikat mbi përhapjen e sëmundjes në Shqipëri, nuk janë fort të sakta, për shkak të rasteve ende të padiagnostifikuara. Për këtë arsye, gjithmonë e më shumë po kërkohet dhe po i jepet rëndësi forcimit të vazhdueshëm të sistemit të survejimit dhe të zhvillimit të qendrave vullnetare të konsulencës (VCT), dhe mbi të gjitha, për grupet vulnerabël të shoqërisë. Po të marrin parasysh, vetëm një vit më parë, në Shqipëri u pikasën 44 raste të reja me HIV, nga të cilat 31 i përkisnin seksit mashkullor dhe 13 atij femëror. Pjesa më e madhe e rasteve të identifikuara, në një total prej 255 rastesh, i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç, si dhe 35-44 vjeç, përgjithësisht me 67 deri në 80 raste. Raporti vëren se numri i femrave të prekura nga HIV/AIDS-i, është rritur, sidomos pas vitit 2000. Aktualisht, shkalla e prekshmërisë së femrave nga infeksioni HIV, është 29.5 për qind. Krahasuar me seksin e kundërt, shifra e prekshmërisë së femrave nga virusi bie në sy që është më e vogël, por kjo, sidoqoftë, nuk e ul aspak shkallën e shqetësimit për epidemiologët, të cilët parashikojnë rritje të numrit në vitet në vazhdim

Transmetimi

Homo-bisexualët, përbëjnë 10 përqind të të prekurve

Transmetimi nëpërmjet rrugëve seksuale, mbetet një nga format më të përhapura të shfaqjes së infeksionit në botë, por edhe në Shqipëri. Në vendin tonë, po t’u besojmë statistikave të fundit, rruga më e përhapur e virusit vdekjeprurës, në masën 87 për qind, është kryerja e marrëdhënieve të pasigurta. Por, ajo që frikëson më shumë në vendin tonë, është kategoria vulnerabël transmetuese e infeksionit. Në raport bëhet e ditur se 77 për qind e personave të infektuar nga HIV/AIDS-i, janë heteroseksualë. Njëkohësisht, vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe numri i personave të prekur me HIV/AIDS, me prirje homo-bisexuale, të cilët përbëjnë 10 për qind të individëve, të cilët kanë marrë infeksionin nëpërmjet rrugëve seksuale. Transmetimi i infeksionit HIV nëpërmjet rrugëve seksuale, shoqërohet më pas, në përqindje më të vogël, nga infektimi nëpërmjet transfuzionit të gjakut. Jo pak, por në Shqipëri, 4 për qind e të infektuarve me HIV, e kanë marrë sëmundjen nga pakujdesia e shërbimit mjekësor. Po në të njëjta shifra është edhe transmetimi i virusit nga nëna te fëmija. Raporti dikton se 4.7 për qind e të infektuarve janë fëmijë, shifër kjo alarmante po të kemi parasysh popullsinë e vendit tonë.

HIV/AIDS

Virusi, rreziku vjen nga jashtë

Emigracioni mbetet edhe sot një nga rrugët kryesore të mbërritjes së HIV-it në Shqipëri. Ky fakt konfirmohet edhe nga raporti i Institutit të Shëndetit Publik, ku thuhet se në bazë të kërkimeve epidemiologjike, 60 për qind e totalit të rasteve me HIV, janë zbuluar jashtë vendit, ndërsa 40 për qind në Shqipëri. Nga këto raste, pothuajse 67 për qind e personave të prekur jetojnë në zonën urbane dhe pjesa tjetër në zonat rurale. Që nga momenti i shfaqjes së personit të parë me HIV/AIDS, që përkon me vitin 1993, e deri më sot, mjekët kanë diagnostifikuar me AIDS 90 persona, nga të cilët 55 kanë vdekur.

Romët, grupi më i prekur nga infeksioni

Romët janë një tjetër pjesë vulnerabël e shoqërisë, e prekur nga infeksioni HIV. Raporti e lidh këtë fakt me vetë kushtet sociale, në të cilën jeton kjo pakicë, qoftë varfëria, lëvizja e shpeshtë, si edhe marrëdhëniet seksuale jo të sigurta. Në raport thuhet se për vetë natyrën e lëvizjes së pakicave rome, është e vështirë të bësh një depistim të duhur, i cili të diagnostifikojë shkallën e prekshmërisë nga HIV-i.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›