E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e madhe në TIFF

Rekord filmash nga Shqipëria dhe Kosova, pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë 1-7 dhjetor. Sonte ceremonia hapet me “Heshtjen e Lornës” ku pritet ardhja e aktores nga Kosova Arta Dobroshi

33 filma artistikë dhe të animuar nga Shqipëria dhe Kosova

Kosovë dhe Shqipëri së bashku me 33 filma. Ky është bilanci i parë që mund të dalë për pjesëmarrjen e “Shqipërisë së madhe” në edicionin e 6-të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë. Nga sot në mbrëmje, deri më 7 dhjetor në Kinematë “Imperial” në kryeqytet projektohet prurja e filmit të shkurtër nga bota në gjinitë e filmit artistik, dokumentar, të animuar, dhe eksperimental.

Nga Amerika, Britania e Madhe, Franca, Portugalia, Spanja, Austria, Gjermania, Polonia, Lituania, Izraeli, Turqia, Greqia, Sllovakia etj, një gjeografi që TIFF-i nuk e ka humbur në asnjë edicion.

Ndër to Shqipëria dhe Kosova kanë një pjesëmarrje sa në asnjë vit tjetër.

Në seksionin e ndërkombëtarit për filmin artistik me 41 filma në konkurrim, filma shqiptarë janë 4: “Çdokush qan” me regji të Jonid Jorgjit, 12', “Intervista” e Burim Halitit nga Kosova, 23', “Shënjtorja” i Eno Milkanit, 23', “Kapota” i Ervis Koçit 9'.

Juria që do të mbulojë këtë seksion, e cila do të japë edhe çmimet Filmi më i mirë i “TIFF ‘08”, Filmi më i mirë i animuar, dokumentari dhe Eksperimentali më i mirë, sapo është konfirmuar. Përbëhet nga Naomi Uman, Silvio Maselli, Davide Barletti dhe Kristaq Skrami.

Në kategorinë e animacionit marrin pjesë 4 filma shqiptarë: “Kungulleshkat” e Gjin Varfit, 10', “Babëzia” e Rikarda Novës, 7', “Maska e famës” e Genc Buxheli & Marin Bezatlliu, 11', “Tsunami” i Shaqir Veselit, 7' , pothuasje të gjitha “Made in Albania”. në gjininë e filmit eksperimental nuk ka asnjë film shqiptar.

Edhe dokumentari është i varfër. I vetmi përfaqësim është një gjysmëpërfaqësim, një bashkëprodhim 20 minuta, italo-shqiptar me regji të Gabriele Pedone&Ervin Eshja, “Tranzicion i thellë” quhet.

Në seksionin e konkurrimit kombëtar për të gjitha gjinitë, por ku dominon filmi artistik, diskutohen 24 filma. Juria që do të vlerësojë këtë kategori përbëhet nga aktori Vasjan Lami, Veton Nurkollari (një nga organizatorët e DoKuFest në Prizren) dhe regjisori televiziv Ylli Pepo.

Çmime të tjera që do të jepen në TIFF janë Çmimi i Publikut dhe Çmimi i Medias, juria e të cilës përbëhet nga Zamir Alushi, Stanela Kostallari dhe Elsa Demo.

Duke përjashtuar animacionin ku përfaqësimi është me emrat më në zë shqiptarë në këtë gjini, apo ndonjë emër tjetër si Eno Milkani e Dhimitër Ismailaj (fitues në TIFF 2005 i Filmit më të Mirë Shqiptar), pjesa dërrmuese janë thuajse panjohur, kanë debutimin e parë në një konkurrim të tillë, apo pjesëmarrjen rutinë pa ndonjë ambicie.

Prurja prej 33 filmash duket fantastike në raport me situatën ku ndodhet filmi shqiptar me metrazh të gjatë. TIFF u ka krijuar hapësirë të rinjve që janë akoma studentë të filmit, të marrin pjesë me profesionistët.

Në këtë grup janë edhe ca pak, projektet e të cilëve janë mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike.

Megjithatë mbetet për t’u parë nëse numri 33 është një shifër fiktive që nuk justifikon cilësinë e prurjeve apo nëse një shifër reale prej të cilës do të vijnë pak vepra të mira sa për të na bërë pak optimist për gjendjen jo shumë shpresëdhënëse ku ndodhet kinematografia shqiptare, në Shqipëri apo në Kosovë qoftë.

TIFF organizohet nga Albanian Art Institute me drejtor Ilir Butkën. Është i dyti vit kur TIFF të vetmen mbështetje financiare nga institucione shtetërore kanë Qendrën Kombëtare Kinematografike.

Konkurrimi kombëtar

“Zakonisht” (fiction) Kastriot Saqipi, Kosovë, 8'

“Rruga për tek arti” (anim) Besian Kozma, 2'

“Tatoo” (anim) Adrian Çene & Bertrand Shijaku, 3'

“Fshehja e pares së zezë” (fiction) Borin Leka, 19'

“Mall” (exp) Soena Lame, 2'

“Udhëtimi i nënës” (fiction) Mahir Musliu, Kosovë, 7'

“Antena” (fiction) Gentian Koçi, 19'

“2 minuta” (fiction) Edlira Baholli, 2'

“E dashur Ria” (fiction) Sabir Kanaqi, 17'

“100 kafe” (anim) Klejdi Eski, 15'

“Përvjetori i martesës” (fiction) Artan Malaj, 22'

“Një natë” (anim) Ardit Faja, 7'

“Shkallët” (fiction) Ilir Harxhi, 30'

“Procesi” (fiction) Robert Bacaj, Kosovë 23'

“Me titull” (doc) Parlind Perlashi, 12'

“Hileqarët” (fiction) Dalmat Dobra, Kosovë, 25'

“Arratisje nga liria” (fiction) Odeta Cunaj, 10'

“Anarki” (fiction) Denis Berisha, Kosovë 30'

“Liri&Minire” (doc) Zhani Terpini, 12'

“Mira” (fiction) Dhimitër Ismailaj, 30'

“Përpjekja” (fiction) Faton Bajraktari, Kosovë 13'

“Duke kërkuar famë” (exp) Artan Kazazi, 10'

“Buzëqeshje& Lotë” (doc) Reard Gjermani & Mirel Gjyzari, 20'

“Çanta” (fiction) Valon Jakupaj, Kosovë 12'

Dobroshi

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Tiranë 1-7 dhjetor, edicioni i 6-të hapet në orën 20.00 në Kinemaë Imperial me filmin “Heshtja e Lornës” i regjisorëve belgë Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, fitues i Palmës për Skenarin më të mirë vitin që shkoi në Festivalin e Kanës. Protagoniste e historisë shqiptare e vendosur në Belgjikë, në qytetin e vogël të Liezhit, është Lorna, e interpretuar nga Arta Dobroshi e cila mendohet të jetë e pranishme sonte për premierën shqiptare.

Dobroshi më 6 dhjetor ndodhet në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të vitit në kinema nga Akademia Evropiane e Filmit. Është një nga 6 emrat e nominuar për çmimin aktorja më e mirë evropiane për vitin 2008.

Programi Special

I ftuari është Alexandre Rockëell së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në vite, skenaristi Brandon Cole. Është menduar të shfaqet të shfaqet filmi i tij i fundit “13 Moons”. Një bisedë e hapur me publikun do të zhvillohet gjatë ditëve të festivalit. Dyshja e të ftuarve do të paraqesë edhe filmin e John Tuturro-s “Illuminata” me të cilin Cole ka shkruar skenarin.

Rockwell dhe Cole do të jenë në Shqipëri edhe si partnerë për një produksion me kompaninë filmike shqiptare “SKA-NDAL”.

Në programin special është futur një seri filmash nga Arkivi Shtetëror Shqiptar i Filmit ku do të ketë edhe nga ata që nuk mund të gjenden në DVD në qarkullim.

Të dhëna

Janë seleksionuar 41 filma artistikë, 18 të animuar, 10 eksperimentalë, 8 dokumentarë, dhe 24 filma konkurimin kombëtar Kosovë-Shqipëri, një hartë e vetme filmike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›