E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aty ku çalon e vërteta

I nderuar “Shekulli”. Po ju përcjell një pjesë perlë që lexova në internet, për fat të keq nuk e di autorin: “…Si sot java, shkrova pse nuk vlente greva. Sot do të shkruaj pse vlejti ajo. Nuk ia vlen t’u hyj edhe unë thashethemeve të vockla, hëngrën a s’hëngrën, e mbajtën urinë a s’e mbajtën. Edhe sikur të hanin, mjaft që 10 burra flinin në karrige e në të ftohtë, bën të kuptohet se një hall e kishin. Mjaft të kujtojmë që 10 burra, mes të cilëve edhe në moshë, ndenjën mbyllur pa diell për një javë dhe duhet të kuptojmë që, për qejf s’kanë ndenjur.

Nuk vlen as të debatojmë në ishte e drejtë a e shtrembër vetë greva. Ngjarje të tilla nuk mund të merren veçan ngjarjeve të tjera dhe të flasim veçan për to. Duhet t’i shohim veprimet të lidhura zinxhir njëri me tjetrin dhe pastaj të japim një gjykim. Dhe, po i pamë ngjarjet varg, kërcejnë pyetjet. Po të ishte Ndoka akoma ministër, a do të kishte hyrë në grevë? Logjika e thjeshtë më thotë që jo. Pra, ja ku fillon të çalojë e drejta. Po kur Meta, para tri muajsh, i kërkoi numrat Ndokës që të bënin bashkë 28 firma dhe t’i çonin ndryshimet e Kushtetutës në gjyq dhe Ndoka s’ia dha, se mendonte ta zgjidhte hallin me Berishën? Ja që prapë e drejta çalon. Ç’kam dëgjuar nga Petro Koçi kundër Ilir Metës, kur Meta zihej me Nanon dhe Petro ishte me Nanon, më dridhet mishtë t’i kujtoj. Ja që prapë çalon e vërteta.

Tani që, halli, të tre këta i mblodhi nën një çati, u ranë hasha të gjithave që kishin thënë gjer para dy javësh për njëri-tjetrin. Ja pra pse them se nuk duhen marrë ngjarjet të shkëputura. Nuk e gjykojmë dot malin në është i lartë a i ulët, nëse do të kishim vetëm një mal. Pikërisht se ka shumë male, duke i parë të gjithë bashkë, mund të shquajmë pastaj të lartën a të ulëtën e secilit, ashtu siç duke i parë ndodhitë bashkë, mund të diskutojmë nëse ishte e drejtë a e shtrembër greva.

Dhe kur i shoh ngjarjet bashkë, siç i numërova më sipër, më del se ata nuk kanë bërë asgjë ndryshe nga ç’është mësuar të bëjë gjithmonë politika shqiptare. Kur ndjehet e fortë, ia fut edhe mikut, ndërsa kur ndjehet keq, bëhet bashkë edhe me armikun. Kësaj radhe, ndodhi e njëjta gjë, por diku ngeci mekanizmi dhe skema nuk funksionoi, duke shkuar deri te barku bosh.

Pikërisht për këtë, them se mund të vlejë si mësim kjo grevë dhe, mundimi i dhjetë shqiptarëve që munduan veten, nuk do të shkojë kot. Të shërbejë si mësim që njerëzit e politikës t’i thonë të bardhës e bardhë, edhe kur interesi i vockël jua do t’i thonë e zezë. Nëse njerëzia e thjeshtë edhe mund ta dredhë, se halli i tyre është për copën e bukës, nuk i falet kjo gjë politikanit, i cili të paktën, copën e bukës e ka të siguruar nga buka e të gjithë shqiptarëve. Të maten mirë kur thonë një gjë, që sot mund t’i nxjerrë vërtet nga halli i momentit, por nesër pastaj i zhyt në një hall edhe më të madh.

Nëse të dhjetë shqiptarët e Kuvendit do ta kenë nxjerrë këtë mësim dhe nëse, me ihshallah, edhe gjithë politikanët e tjerë të këtij vendi e kanë kuptuar kështu, atëherë ju faleminderit të dhjetëve dhe hallall rrogën që ju japim.…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›